Ligji nr. 04/L-054

Ligji nr. 04/L-054 “PËR STATUSIN DHE TË DREJTAT E DËSHMORËVE, INVALIDËVE, VETERANËVE, PJESËTARËVE TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, VIKTIMAVE CIVILE DHE FAMILJEVE TË TYRE”.

Deputetët kanë votuar të enjten në kuadër të ndryshimit dhe plotësimit të ligjit që neni 6, i ligjit në fuqi, pas paragrafit 9, t'i shtohet një paragraf i ri si në vijim:

10. personat e dhunuar gjatë luftës përfitojnë të gjitha beneficionet personale nga ky nen me përjashtim të pikës 1.1 të paragrafit 1, si dhe paragrafin 2,5,7,8,9 të këtij neni."


Ligji në fuqi:

Neni 6

Benificionet e veçanta

1. Kategoritë e trajtuara në këtë ligj, varësisht nga statusi dhe kriteret e përcaktuara, për shkak të sakrificës sublime dhe kontributit shumë të lartë në luftën çlirimtare të UÇK-së, janë përfitues edhe të beneficioneve të veçanta, të cilat janë:

1.1. shtesa për përkujdesje dhe ndihmë nga personi tjetër është e drejtë të cilën e realizon invalidi i UÇK-së dhe invalidi civil i luftës me shkallë të invaliditetit mbi 80%;

1.2. rehabilitimi mjekësor dhe fizikal është e drejtë që e realizojnë të gjithë invalidët e UÇK-së, me prioritet sipas shkallës së invaliditetit;

1.3. shërbimet shëndetësore primare, sekondare dhe terciare janë të drejta të cilat i realizojnë pa kompensim në institucionet shëndetësore publike, familjet e dëshmorëve, të të zhdukurve të UÇK-së, invalidëve të UÇK-së, si dhe anëtarët e ngushtë të familjeve të tyre;

1.4. shërbimet shëndetësore spitalore jashtë vendit, janë të drejta të cilat i realizojnë pa kompensim, të gjithë invalidët e UÇK-së, në qoftë se është në pyetje sëmundja, e cila nuk mund të shërohet në vendin tonë;

1.5. shërbimet shëndetësore jashtë vendit i gëzojnë edhe invalidët civil të luftës për gjendjen shëndetësore të përkeqësuar, që është pasojë e luftës dhe për të cilën nuk ka shërim në vendin tonë;

1.6. riaftësimi profesional është e drejtë të cilën e realizon invalidi i UÇK-së, invalidi civil i luftës, të cilët janë pjesërisht të aftë për punë, duke përfshirë edhe aftësimin për kryerjen e punëve për të cilat kërkohet përgatitje profesionale më e lartë se ajo të cilën e ka pasur, pa marrë parasysh se a i sigurohet punësimi pas riaftësimit profesional;

1.7. kompensimi ortopedik është e drejtë e sigurimit të mjeteve ortopedike për invalidët e UÇK-së dhe invalidët civil të luftës, të cilëve u është dëmtuar organizmi nga plagosja, apo amputimi i ekstremiteteve;

1.8. përparësi në punësim në ndërmarrjet e sektorit publik dhe privat, në përputhje me Ligjin nr. 03/L-19 për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, është e drejtë të cilën e realizojnë invalidët e UÇK-së.

2. Lirimi nga tatimi dhe dogana për veturat speciale për përdorim personal (një veturë në çdo pesë (5) vjet) si dhe i pajisjes ortopedike janë të drejta të cilat i realizojnë invalidët e UÇK nga grupet I deri në grupin VII në përshtatshmëri me shkallën e paaftësisë të përcaktuar me nenin 10 të këtij ligji.

3. Tarifa e liruar dhe reduktimi i harxhimeve të energjisë elektrike për nevoja personale, është e drejtë të cilën e gëzojnë familjet e ngushta të dëshmorëve dhe invalidët e UÇK në rast të gjendjes së rëndë ekonomike, kur i plotëson kriteret sipas skemës së asistencës sociale

4. Lirimi nga tatimi në pronë është e drejtë që e realizojnë familjet e dëshmorëve, familjet e të zhdukurve të UÇK-së, invalidët e UÇK-së, invalidët civil të luftës, familjet e viktimave civile të luftës që janë në gjendje të rëndë ekonomike.

5. Stazhi i dyfishtë është e drejtë të cilën e realizojnë invalidët si të papunësuar apo të punësuar për kohën e kaluar në luftë.

6.Përkujdesja për banim është e drejtë të cilën e realizojnë familjet e dëshmorëve, të të zhdukurve të UÇK-së, invalidëve të UÇK-së të cilët janë në gjendje të rëndë ekonomike, invalidët civil të luftës dhe familjet e ngushta të viktimave civile të luftës, për të cilët Qeveria e Kosovës do të angazhohet për sigurimin e strehimit familjar përmes ndërtimit të objekteve kolektive të banimit social:

6.1. përparësi për realizimin e të drejtës në strehim familjar do ta kenë familjet e ngushta të dëshmorëve dhe të zhdukurve, invalidëve të cilët nuk e kanë të zgjidhur strehimin familjar.

7. Përparësia e regjistrimit dhe pranimit në institucionet arsimore publike është e drejtë të cilën e realizojnë personat që janë anëtarë të familjeve të dëshmorëve, të zhdukurve të UÇK-së, invalidëve të UÇK-së dhe familjet e tyre.

8. Lirimi nga pagesat administrative në shkollimin Universitar Publik, është e drejtë të cilët e realizojnë, personat që janë anëtarë të familjeve të dëshmorëve, të zhdukurve të UÇK-së, invalidëve të UÇK-së dhe familjet e tyre.

9. Shpenzimet e varrimit, të transportit dhe nderimet ushtarake, janë ato shpenzime dhe akte ceremoniale mortore, të cilat i kompenson Ministria pas procedurave të ekskumacionit dhe identifikimit të ushtarit të zhdukur të UÇK-së.