Merkel paralajmëron ashpër Rusinë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se udhëheqësit e Bashkimit Evropian, gjatë samitit që nis sot në Bruksel, do të tregojnë gatishmërinë e tyre për të rritur masat ndëshkuese ndaj Rusisë.

“Samiti i BE-së, sot dhe nesër, do ta bëjë të qartë se ne jemi të gatshëm në çdo kohë për të ndërmarrë masat e fazës së tretë, nëse ka përkeqësim të situatës. Dhe, sigurisht se do të përfshijmë sanksionet ekonomike”, ka thënë Merkel.

Udhëheqësit e BE-së hapin sot në Bruksel një samit dyditor, në të cilin do të diskutohet përgjigjja e bllokut ndaj aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Pritet që liderët të vendosin për anulimin e një samitit BE-Rusi, i cili është paraparë të zhvillohet në muajin qershor.

Ata po ashtu mund të shtojnë listën e njerëzve që u ndalohet udhëtimi dhe u ngrihen asetet.