Manuali i diktatorit: Gjashtë mësime nga Krimeja

Presidenti Vladimir Putin

Mos dorëzoni armët bërthamore!

Njëzet vjet më parë, Ukraina ka qenë fuqia e tretë më e madhe bërthamore në botë, me 1,900 koka bërthamore me rreze të gjatë dhe 2,400 sosh me rreze të shkurtër, të cilat kanë qenë pjesë e arsenalit të Luftës së Ftohtë të Bashkimit Sovjetik.

Por, Kievi i ka dorëzuar ato vullnetarisht në Rusi, më 1994, kur ka nënshkruar Memorandumin e Budapestit për Sigurinë. Ai ka dorëzuar armët bërthamore në këmbim të sovranitetit dhe premtimit se Rusia “do të përmbahet nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të Ukrainës”.

Dukej si marrëveshje e mirë në atë kohë. Por, shumë ligjvënës ukrainas vajtojnë tani për këtë vendim. Ata kanë pranuar diçka që Pakistani dhe India e kanë ditur me dekada – se raketat mundin memorandumet, kur vjen te ndërhyrja në tokën tuaj. Ose, siç ka thënë ligjvënësi ukrainas, Pavlo Ryzanenko, për “USA Today”: “Nëse keni armë bërthamore, njerëzit nuk ju pushtojnë”.

Marrëveshjet janë të pakuptimta

Memorandumi i Budapestit, pavarësisht se është miratuar nga të pesë anëtaret e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nuk e ka ndaluar Vladimir Putinin të marrë përsipër Krimenë. Presidenti rus ka argumentuar se memorandumi nuk ka më peshë, sepse Qeveria aktuale e Kievit ka ardhur përmes “grusht-shtetit” dhe nuk është legjitime në sytë e Moskës.

Marrëveshja e Budapestit nuk ka shtyrë as bashkë-nënshkruesit perëndimorë – Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar – që të ndërhyjnë ushtarakisht kundër Moskës.

Me ankesimin e Krimesë, Moska në fakt ka shkelur një sërë marrëveshjesh, përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara, Kartën e Këshillit të Sigurimit dhe të Bashkëpunimit në Evropë, Marrëveshjen e Helsinkit të vitit 1975, Marrëveshjen dypalëshe Ukrainë-Rusi të vitit 1997 dhe marrëveshjen për Flotën e saj në Detin e Zi, e cila i ofron Rusisë baza në Krime, por jo fluks të mijëra trupave shtesë.

Pastrimi etnik bën punë

Nëse doni të merrni një territor, mënyra më e mirë është të largoni banorët lokalë dhe të vendosni veten si shumicë të re. Taktika është përdorur me sukses kundër amerikanëve vendas në Shtetet e Bashkuara, kundër myslimanëve dhe kroatëve në Bosnjë dhe kundër miliona pakicave josllave që jetonin në Bashkimin Sovjetik të Stalinit.

Mbi 200,000 tatarë janë dëbuar me forcë nga Krimeja më 1944, me pretekst të rremë të bashkëpunimit nazist. Qindra mijëra rusë etnikë janë dërguar për të zënë vendin e tyre, duke forcuar ndikimin e Moskës dhe besnikërinë e gadishullit ndaj qendrës perandorake. Në vitet 1980, kur tatarët kanë nisur të kthehen në Krime, ata kanë qenë pakicë. Tani, me rezultatet e referendumit, Rusia mund të argumentojë se ka të dhëna “demokratike” që mbështesin përpjekjen e saj për aneksim.

Nuk është gënjeshtër nëse besohet në të

Edhe Adolf Hitleri, edhe shefi i tij i propagandës, Joseph Goebbels, kanë qenë ithtarë të zjarrtë të Gënjeshtrës së Madhe, e cila pranohet nga njerëzit që nuk duan të besojnë se treguesi i saj është në gjendje të jetë aq i pandershëm. Putini ka bërë disa Gënjeshtra të Mëdha në fushatën e tij për Krimenë:

1) Rusëve u shkelen të drejtat.

2) Ai është i mërzitur me idenë se rusëve u shkelen të drejtat.

3) Pushteti në Kiev është marrë nga fashistët.

4) Situata është aq e tmerrshme saqë vetë ukrainasit ikin në Rusi.

5) Trupat ruse nuk kanë shkelur Ukrainën.

6) “Ne nuk jemi duke shqyrtuar aneksimin e Krimesë”.


Tregu nuk ka vlera morale

Olimpiada në Soçi ka qenë përkujtues i kësaj, kur sponsorët si McDonald’s, Coca-Cola dhe Procter & Gamble, kanë refuzuar të bëjnë presion mbi Rusinë për ligjin antihomoseksual nga frika se do t’iu dëmtohen përfitimet e tyre. Deri të hënën, me sanksionet e BE-së dhe të SHBA-së, nuk ka pasur qeveri të gatshme për të penalizuar veprimet e Rusisë në Krime me më shumë se fjalë.


Patriotizmi është mirë, kur nuk është i keq

Putini ka kaluar shumicën e viteve të tij në pushtet i përkushtuar për rikthimin e identitetit kombëtar rus, duke i fshirë pluhurin Stalinit, duke ringjallur Kishën Ortodokse, duke vajtuar rënien e Bashkimit Sovjetik.

Ky projekt për ndërtimin e kombit të madh e ka bërë të lehtë për liderin e Kremlinit që të argumentojë se përvetësimi i Krimesë nuk është vetëm natyror, por edhe i nevojshëm. “Të lihet Krimeja dhe populli i saj në telashe, nuk do të ishte asgjë tjetër pos tradhti”, ka thënë Putin.(v.tela)