Bieber: Vuçiqi i fuqishëm si Milosheviqi

Florian Bieber

Është gjithmonë e rrezikshme kur një parti e ka pushtetin absolut, sepse nuk ekziston mundësia e kontrollit, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Florian Bieber, profesor në Universitetin e Gracit.


RADIO EVROPA E LIRË
Është pritur që Partia Progresiste Serbe të fitoj bindshëm, por jo që ta ketë shumicën absolute. Si e shpjegoni suksesin e këtillë të progresistëve?

FLORIAN BIEBER
Një nga shkaqet e fitores bindëse të Partisë progresiste serbe është dalja e ulët në votime dhe dobësia e opozitës. Përplasja e Dragan Gjilasit dhe Boris Tadiqit brenda Partisë Demokratike, ka kontribuar mjaft për fitoren e progresistëve. Gjithashtu, hulumtimet tregojnë se mediet i kanë dhënë hapësirë të vogël partive opozitare dhe kjo e tregon rrezikun nga dominimi i një partie, partisë progresiste serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
A ekziston rreziku nga qeverisja njëpartiake në kuadër të sistemit shumëpartiak?

FLORIAN BIEBER
Sfida e parë është fakti se a kanë kapacitet për të qeverisur. Deri më tash, nuk ka qenë edhe aq e qartë se a kanë njerëz të kualifikuar për funksionet publike. Rreziku i dytë është autoritarizmi. Nëse një parti ka aq pushtet, atëherë ekziston rreziku për keqpërdorimin e tij. Nëse e analizojmë përvojën e krejt rajonit, është shumë e vështirë që një parti të qeverisë në mënyrë konstruktive, e vetme.

Sa herë që një parti e vetme e ka pasur shumicën absolute, një gjë e tillë kryesisht ka quar drejt tendencave autoritare. Shembull për këtë është qeverisja e Viktor Orbanas në Hungari. Kjo është e rrezikshme, sepse nuk ekzistojnë institucione mjaft të fuqishme, të cilat mund ta kontrollojnë pushtetin, duke vendosur baraspeshën e nevojshme.

Në qoftë se në vend të një koalicioni qeverisë një parrti, ajo konsideron se mundet për gjithçka të vendosë. Sidomos është problem nëse në atë parti dominon një person, siç është Vuçiqi në rastin e progresistëve. Kjo asnjëherë nuk është shenjë e mirë, ndonëse qëllimet ndoshta janë të mira.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe pse lufta kundër korrupsionit ka qenë një nga pikat kryesore të programit të Partisë progresiste serbe gjatë kohës sa ka qenë në qeverinë e kaluar, megjithatë në raportet e institucioneve ndërkombëtare thuhet se korrupsioni mbetet ende problem. A ekziston rreziku i forcimit të tendencave jodemokratike nën maskën e demokracisë, posaçërisht në vendet ku një parti e ka shumicën absolute?

FLORIAN BIEBER
Madje as Milosheviqi nuk ka pasur aq fuqi sa Vuçiqi, përveç pas zgjedhjeve të para. Natyrisht, Milosheviqi ka dominuar në mënyrë tjetër përmes kontrollit mbi mediat, ushtrinë, policinë dhe mekanizmat tjerë. Por, pas zgjedhjeve të para, Milosheviqi ka pasur gjithmonë partner në koalicion.

Duhet të shohim nëse Vuçiqi dëshiron të qeverisë vet apo të kërkojë partnerë, mbi të cilët do ta hedhë një pjesë të përgjegjësisë.. megjithatë, shpallja e zgjedhjeve të parakohshme ka qenë sinjal i keq. Do të thotë, nuk ka pasur krizë në koalicion, prandaj nuk ka pasur as nevojë për këto zgjedhje.

Por, shpallja e tyre, në mënyrë të qartë e ka treguar qëllimin që në mënyrë populliste të keqpërdoret institucioni demokratik për nevojat e partisë së tij. Problem është edhe mosgatishmëria që të institucionet shtetërore të zhvishen nga ndikimi i partive, të cilat shfrytëzohen për punësime partiake në vend të kuadrove të kualifikuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Partia progresiste serbe ka arritur ta shfrytëzoj si adut për zgjedhje fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian. Por, pas festimit, tashmë ekziston pjesa më e mundimshme, gjegjësisht reformat e domosdoshme në rrugë drejt anëtarësimit...

FLORIAN BIEBER
Më së paku probleme do të ketë rreth Kosovës, sepse qartësisht ajo më nuk është më prioritet për autoritetet në Beograd. Kur bëhet fjalë për zbatimin e sundimit të ligjit, kjo më së shumti do të varet nga presioni i bashkimit Evropian, jo vetëm për tu nxjerrë ligjet e duhura , por edhe për zbatimin e tyre. Deri më tash, Brukseli ka qenë kryesisht i kënaqur me nxjerrjen e kornizës ligjore, duke mos insistuar edhe aq në zbatimin e saj.

RADIO EVROPA E LIRË
A mundet Vuçiqi, me shumicë komode në parlament, të qeverisë në katër vitet e ardhshme, pa tronditje të mëdha?

FLORIAN BIEBER
Siç qëndrojnë gjërat tash, gjithçka shkon në dobi të tij, kështu që do të mund të qeveriste edhe pas zgjedhjeve për katër vjet. Kjo do të varet edhe nga situata ekonomike, gjegjësisht, se a do t’i zbatojë disa reforma.

Njëkohësisht, rolin do ta luaj edhe fuqia ose pafuqia e opozitës. Nuk është e qartë se a do të mund Partia Socialiste të jetë parti opozitare e më pas, a do të mundet Partia Demokratike të profilizohet si alternativë e fuqishme, gjegjësisht se cila është politika dhe ideologjia e asaj alternative.

Përgatiti: Bekim Bislimi