Ramadani: Virusi AH1N1, është dobësuar

Naser Ramadani

“Sot po e nominojnë si grip i derrit, por në realitet nuk është më grip i derrit, po është virusi AH1N1, i cili në modifikimin e tij gjenetik nuk është përforcuar, por është dobësuar prej vitit 2009, por kohë pas kohe paraqitet në valë të ngjashme me gripin sezonal, sepse më 2009 gripi i derrit nuk ka zgjedhur sezon, madje është paraqitur në muajt e verës”, thotë Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ramadani, të dhënat flasin se brenda vitit në Kosovë, janë rreth 100 mijë njerëz që infektohen me sëmundje ngjitëse. A mund të thoni se prej nga vijnë këto sëmundje, bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar?

NASER RAMADANI
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike mbikëqyr dhe raporton të gjitha rastet e sëmundjeve ngjitëse, që janë një komponentë e sistemit të informimit të shëndetësor në Kosovë, që ju e dini që po çalon me vjet, për dallim prej kësaj, kjo subkomponentë e mbikëqyrjes së sëmundjeve ngjitëse funksionon më së miri në këtë sistem të përgjithshëm të informimit shëndetësor dhe të cilin po tentojmë ta realizojmë në tërësi.

Por, duke pasur parasysh që kjo mbikëqyrje funksionon dhe raportohet më së miri, dhe në institucionet shëndetësore të periferisë, praktikisht janë të konsoliduara të gjitha qendrat për raportimin e sëmundjeve ngjitëse, atëherë ne mund të themi lirisht se ne marrim numër solid të raportimit nga institucionet shëndetësore.

Në këtë kontekst, Instituti Kombëtar regjistron rreth 100 mijë raste - mund të jenë 105 mijë ose 110 mijë, varësisht prej situatës në terren dhe nga këto raste, shumica prej tyre kanë të bëjnë me sëmundjet e traktit respirator dhe me sëmundjet e sistemit respirator, domethënë sëmundjet e traktit digjestiv.

Këto dy grupe, dy komponente janë pjesa dominuese, pjesa tjetër e sëmundjeve ngjitëse ka të bëjë me ato që te ne quhen zoonoza, siç janë bruceloza, tularemia. Pastaj, sëmundjet e sistemit nervor qendror si encefalitet e ndryshme meningjitit e ndryshme etj., të cilat raportohen edhe nga Klinika Infektive, ku një pjesë e tyre edhe shtrihen për shkak të komplikimeve eventuale të organizmit të njeriut.

Në përgjithësi, këto sëmundje që raportohen, praktikisht mund të thuhet se gjysma e tyre në Kosovë ndodhin si pasojë e kushteve të këqija higjieniko-sanitare, qofshin ato në vendbanime, në familje, në shtëpi, në rrugë, qofshin për shkak të moskyçjes në kanalizim, apo mosfurnizimit adekuat me ujë për pije, duke pasur parasysh se në Kosovë vetëm 70 për qind të amvisërive furnizohen me ujë higjienik për pije.

Pra, 30 për qind mund të konsiderohet si ujë johigjienik për pije, duke pasur parasysh burimin e furnizimit me ujë për pije nga puset e ndryshme, një pjesë e të cilëve edhe nuk mund të kontrollohen nga vetë familjarët ose nga komunat dhe nga kjo mund të rrjedhin sëmundjet e traktit digjestiv, më së shumti si barkqitje.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë përmendët ujin, ka disa shqetësime se në mungesë të të reshurave atmosferike dhe reduktimeve në furnizim me ujë, ky ujë që konsumojmë nuk është i pijshëm. Sa të shpeshta janë analizat që ju bëni për cilësinë e ujit?

NASER RAMADANI
Duke u bazuar në rregulloren dhe direktivën e BE-së, që tashmë ne në institut e kemi transponuar ndër shtetet e para të Ballkanit çështjen e rregullores për konsumimin e ujit të pijes, në këtë kontekst ne mund të themi lirisht se Instituti Kombëtar i ka konsoliduar tashmë analizat e tyre laboratorike në nivelin më të lartë të standardeve që kërkohen nga BE-ja. Çka do të thotë kjo?

Se Instituti Kombëtar e ka rolin e monitoruesit të ujit të pijes. Kjo nënkupton se të gjitha kompanitë, aktualisht në Kosovë gjenden 7 kompani të ujit, i kanë laboratorët e vet për kontrollimin e ujit. Pa marrë parasysh se a i kontrollojnë apo jo, dhe në çfarë intervali kohor kompanitë ujore analizat e ujit, me të cilin furnizon qytetarët, Instituti Kombëtar i kontrollon të gjitha, të shtatë kompanitë.

Ky është ai monitorimi i rregullt në pika të caktuara, të cilat Instituti Kombëtar i ka paraprirë në bazë të rregullore, në bazë të ligjit. Po koncepti konsiston në faktin se duhet të përfshihen të gjitha ato pika që ne mendojmë se i mbrojmë ujin e pijes dhe popullatën që, eventualisht, në ndonjë pikë, në rast se nuk është në rregull uji, të intervenohet te kompanitë sa më shpejt, që të përmirësohet uji i pijshëm.

Pra, me këtë dua të them se pa marrë parasysh kontrollimin nga ana e kompanive, kontroll i cili edhe ashtu është solid, Instituti Kombëtar nuk lëshon asnjë vrimë të këtij kontrolli në tërë territorin e Kosovës, në mbulimin e shtatë kompanive që furnizojnë qytetarët me ujë të pijshëm.

Rezultatet janë gjithmonë të mira. Ne asnjëherë nuk kemi pasur rezultate drastike alarmante, pos viteve të kaluara kur, ju e dini, për shembull, situatën në komunën e Klinës, ku ka qenë problemi i disa infrastrukturave të ujësjellësit, të cilat gradualisht po përmirësohen.

Kemi pasur Radoniqin, i cili vitet e kaluara ka pasur disa probleme. Në Batllavë dhe në Badoc është uji i reduktuar dhe për këtë arsye, pos obligimeve ligjore, ne kemi shtuar masat e kontrollit në monitorimin tonë, në mënyrë që mos të lëshohet asnjë pikë e kontrollit, dhe po qe se në një pikë të kontrollit, uji është johigjienik për pije, ne do të alarmojmë, së pari kompanitë, së dyti institucionet, dhe së treti, por jo në intervale të vonuara, mediat.

Domethënë, në sistemin paralel opinioni do të jetë i informuar, sepse Instituti Kombëtar është i interesuar që informata për gjendjen e ujit të pijes në Kosovë, të jetë në kohë reale, sepse çdo vonesë, ta marrim shembull, në këtë informatë, mund të ketë pasoja, të cilat do të jenë të rënda, jo vetëm për shëndetin e qytetarëve, po në radhë të parë edhe për institucionet, që duhet të kenë pastaj harxhime ekstra për t’i shëruar ata pacientë.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë është aktualizuar “rikthimi” i virusit H1N1, ndonëse në një formë tjetër gjenetike. Sa serioze e shihni ju gjendjen, marrë parasysh numrin e njerëzve të prekur me këtë virus?

NASER RAMADANI
Po nisem në një kronologji të shkurtër me një fjali, sepse ju si Radio Evropa e Lirë, e keni përcjellë gjendjen e gripit, dhe pandemisë së gripit, dhe të gripit të shpendëve qysh prej vitit 2004, praktikisht. Po në vitin 2004, ne kemi bërë një strategji kundër gripit të shpendëve. Në vitin 2009 ne vetëm e kemi pasur gati atë strategji dhe ka shpërthyer pandemia në nivel botëror e gripit AH1N1, që është quajtur në atë kohë gripi i derrit.

Sot, pa të keq, po e nominojnë si grip i derrit, po ky në realitet nuk është më grip i derrit, po është virusi AH1N1, i cili në modifikimin e tij gjenetik nuk është përforcuar, por është dobësuar prej vitit 2009, por që kohë pas kohe tani paraqitet në valë të ngjashme me gripin sezonal, sepse më 2009 gripi i derrit nuk ka zgjedhur sezon, madje është paraqitur në muajt e verës.

Tashmë ka hyrë në rrugën e rregullt të paraqitjes sezonale dhe sivjet në Kosovë, ne kemi regjistruar një valë të dobët të këtij gripi, AH1N1, i cili madje mund të them se krahasuar me shtetet e tjera të Ballkanit, ne jemi në valën e fundit dhe te ne është paraqitur edhe ashtu me vonesë.

Këto janë dy karakteristika që nuk e ngarkojnë situatën për panik - e para është me vonesë, dhe e dyta është valë e dobët.

Kjo neve na bën me dije për situatën e peshës së epidemisë së gripit sezonal. Po në anën tjetër, ne nuk kemi qëndruar duarkryq. Qysh në dhjetor të vitit të kaluar ne kemi aprovuar strategjinë e re kundër gripit pandemik dhe gripit sezonal AH1N1 tashmë në Institutin Kombëtar dhe jemi duke iu përmbajtur me përpikëri.
Çka do të thotë kjo?

Të gjitha institucionet janë duke raportuar, në nivelin e vet të duhur, një. Dhe, dy format e saj, që janë forma e rëndë dhe forma e lehtë, ne po ballafaqohemi me formën e rëndë që po paraqitet tashmë në media dhe nganjëherë ka tendenca të stërmadhohet që për ne shkakton pasoja të rënda, sepse stërmadhimi i informatës në opinion shkakton panik. Ky panik, pos aspektit psikologjik, ka dëmtime edhe ekonomike, duke pasur parasysh se në kohët e fundit në laboratorët tanë ne kemi regjistruar dhe kemi bërë diagnostikimin e rasteve më të shumta të gripit për shkak të këtij paniku.

Njerëzit me rrufa dhe me flama të lehta kanë ardhur, janë diagnostikuar dhe kanë dalë negativë, por reagencat neve na kanë shkuar. Ne kemi harxhuar më shumë sesa që është planifikuar dhe edhe pse s’kemi mbetur asnjëherë pa reagencë. Nuk preferohet të stërmadhohet situata për shkak se shkakton jo vetëm dëm psikologjik te popullata, por edhe dëm ekonomik në menaxhimin e laboratorëve të Institutit Kombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ramadani, cilat janë telashet me të cilat përballet institucioni juaj? Ku e gjeni mbështetjen kryesisht dhe ku hasni në pengesa?

NASER RAMADANI
Kur flasim për telashet në shëndetësinë publike, telashet janë të shumta, por janë multi-faktoriale. Domethënë Instituti Kombëtar është institucion që i përgjigjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe ne në buxhetin e rregullt që e kemi nga Ministria e Shëndetësisë, nuk kemi telashe të mëdha, nëse mund ta quajmë telashe, sepse problemi i buxhetit është i gjithëmbarshëm.

Ne e dimë vëllimin e gjithëmbarshëm të buxhetit të konsoliduar të Kosovës dhe po mundohemi, që, duke pasur parasysh që Ministria e Shëndetësisë është në valën e reformave, ne të gjejmë burime tjera.

Ju e dini, jeni të informuar se Ministria e Shëndetësisë tashmë ka bërë reformën në institucionet shëndetësore duke krijuar shërbimin spitalor të Kosovës dhe reforma kryesore që do të ndodhë në praktikë, më 2015, është aprovimi dhe implementimi i Ligjit për sigurimet shëndetësore.

Me këtë ligj ne shpresojmë se do të kemi edhe një formë të shtuar të buxhetit që një pjesë sigurisht, edhe pse e vogël, është e mjaftueshme që të kryhen disa aktivitete të Institutit Kombëtar në parandalimin e sëmundjeve. Në radhë të parë në diagnostikim, po më shumë në edukim shëndetësor. Ja shembulli konkret sivjet, Ministria e Shëndetësisë, gjegjësisht Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete në vlerë prej 1 milion e 10 mijë eurosh për ndërmarrjen e masave për parandalimin e etheve hemorragjike, krime kongo. Ne jemi në terren shumë para kohe sesa viteve tjera, edhe pse viteve tjera nuk kanë munguar as aktivitetet e as mjetet.

Sivjet jemi në prag të sezonit të etheve hemorragjike kur mjetet nuk mungojnë dhe ne kemi bërë planifikimin dhe në këtë planifikim ne jemi të shkarkuar me një aktivitet kryesor që kemi bërë vjet, që ka qenë dezinfektimi i sipërfaqeve të shkurreve dhe livadheve. Sivjet nuk e kemi këtë obligim, andaj ne jemi përqendruar tash më shumë në diagnostikim dhe edukim shëndetësor të të gjitha masave në parandalim.