Moti i pazakontë sjell viruse

Ilustrim

Moti i pazakontë, ku dimri bëhet pranverë, e pranvera shndërrohet në verë, e bën të pamundur një prognozë se edhe sa mund të zgjasë sezoni i gripave në Kosovë, ku janë të evidentuar mbi 86 pacientë me influencë sezonale, kurse 40 prej tyre janë të infektuar me H1N1, që dikur njihej si "gripi i derrit".

Drejtori i Klinikës Infektive Shemsedin Dreshaj tha të martën se 2 pacientë me H1N1 janë në gjendje kritike nga ky virus, i cili ka marrë viktimën e parë pak kohë më parë.

Sipas tij, shifra prej 86 pacientëve që kanë rezultuar si të infektuar me virusin sezonal dhe atë H1N1, është e tillë për shkak se moti është në favor për viruset.

“Është e vështirë të thuhet se edhe sa do të jenë ende viruset në qarkullim. Për shkak se kjo kohë, dhe ky mot është çoroditur. Do të thotë, këto nuk janë kondita normale klimatike, për këtë arsye është e vështirë të thuhet. Unë nuk pres, ndonjë përkeqësim të situatës, por është e vështirë të thuhet se sa do të zgjasë”, ka thënë Dreshaj.

Në Klinikën Infektive në Prishtinë, shtatë pacientë vazhdojnë të jenë të hospitalizuar nga 40 sa janë konfirmuar si të infektuar me “gripin e derrit”.

Ata që kanë kaluar këtë grip, janë liruar në shtëpi, në gjendje të mirë shëndetësore, dhe drejtori i kësaj klinike Shemsedin Dreshaj thotë se nuk ka vend për panik.

Sipas Dreshajt, Kosova nuk dallon nga vendet e tjera të rajonit, përveç se ka shkallën më të ulët të vdekshmërisë nga virusi H1N1.

"Në Shqipëri 3 kanë vdekur, në Maqedoni më duket 7 ose 8 janë të evidentuar si të vdekur, në Serbi mbi 30 ka dal numri. Ajo çka është evidente, dhe çka është e dokumentuar, është se në Kosovë, dhe në krejt rajonin, janë duke qarkulluar të dy llojet e virusit".

"Edhe influenca e rëndomtë, që u thash se është paraqitur në 46 raste tek ne, edhe influenca H1N1, pra i ashtuquajturi Gripi i Derrit, sepse më nuk quhet grip i derrit, është quajtur atëherë, sepse tash është virus i njeriut”, sqaron drejtori i Klinikës Infektive.

Që të gjitha këto lloje të infeksioneve të rrugëve të poshtme respiratore, rezultojnë me ndërlikime, thotë Dreshaj ndërsa shton se te dikush sëmundja është më e lehtë, te dikush sëmundja më e rëndë, te dikush më e shkurtër.

“Pra, do të thotë, te të gjitha format e gripit ne evidentojmë raste të vdekjes. Është e vërtet që H1N1 ka qenë pandemi, dhe në kuadër të pandemisë ti pret për me u prek një numër shumë më i madh i njerëzve. Dhe normal që në kuadër të tërë atij numri të prekur, pritet që njerëzit që janë më të ndjeshëm dhe bien viktimë e virusit”, tha ai.

Pak javë më parë, Kosova ka shënuar viktimën e parë nga gripi H1N1, një grua 57 vjeçe nga komuna e Dragashit.

Drejtori i Klinikës Infektive ndërkaq thotë se ka barna të mjaftueshme për të trajtuar personat e infektuar nga gripi H1N1, dhe se personeli mjekësor në këtë institucion, ballafaqohet tash e pesë vjet me këtë sëmundje, prej se është shfaqur për herë të parë ky virusi.