Obama dhe Putini diskutojnë për krizën në Krime

Presidenti Barack Obama duke biseduar në telefon me homologun e tij rus, Vladimir Putin, për krizën në Ukrainë.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti Barack Obama ka folur në telefon me presidentin rus, Vladimir Putin, për krizën në Ukrainë.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Obama i ka thënë Putinit se aksionet e Rusisë në Krime kanë shkelur sovranitetin e Ukrainës dhe kanë bërë që Uashingtoni të vendosë sanksione ndaj zyrtarëve rusë dhe ukrainas, të cilët fshihen pas ndërhyrjes ushtarake të Kremlinit.

Obama ka nënvizuar kushtet e një zgjidhjeje që janë duke promovuar zyrtarët amerikanë. Sipas saj, Rusia do të tërhiqte trupat e saj nga Krimeja, do të lejonte monitoruesit ndërkombëtarë të sigurojnë se të drejtat e rusëve etnikë respektohen dhe do të zhvillonte bisedime direkte me zyrtarët ukrainas.

Sipas Kremlinit, Putini i ka thënë Obamës se autoritetet e reja të Kievit kanë imponuar vendime krejtësisht të paligjshme në rajonet lindore dhe juglindore të Krimesë.

Sipas deklaratës, Putini i ka thënë Obamës se Moska “nuk mund të injorojë thirrjet për ndihmë në këtë çështje” dhe se ajo është duke vepruar në përputhje të plotë me rrethanat dhe ligjin ndërkombëtar.

Deklarata e Kremlinit thotë se biseda ka zbuluar “dallime në qëndrime dhe vlerësime të shkaqeve që kanë çuar në krizën e tanishme”. Po ashtu mësohet se Putini i ka thënë Obamës se marrëdhëniet e tyre nuk duhet të vuajnë për shkak të Ukrainës.

Kjo ka qenë biseda e dytë telefonike midis Obamës dhe Putinit në gjashtë ditët e fundit.

Më herët, presidenti Obama ka thënë se referendumi i Krimesë për t’u bashkuar me Rusinë do të shkelte ligjin ndërkombëtar.

“Referendumi i propozuar për të ardhmen e Krimesë do të shkelte Kushtetutën e Ukrainës dhe ligjin ndërkombëtar. Çdo bisedë për të ardhmen e Ukrainës duhet të përfshijë qeverinë legjitime të Ukrainës”, ka thënë Obama.

Të enjten, Parlamenti i Krimesë ka votuar për t’iu bashkuar Rusisë dhe ka shpallur referendum për këtë çështje, i cili do të mbahet më 16 mars.

Forcat ruse kanë marrë kontrollin e pjesës më të madhe të gadishullit në Detin e Zi, ku rusët etnikë janë shumicë.

Obama, po ashtu, ka shpjeguar sanksionet e ndërmarra.

“Kam nënshkruar urdhër ekzekutiv, i cili autorizon sanksione ndaj individëve dhe subjekteve, përgjegjëse për shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës apo për vjedhjen e aseteve të popullit ukrainas. Sipas udhëzimit tim, Departamenti i Shtetit ka vendosur po ashtu kufizime në udhëtim për individë dhe zyrtarë të caktuar”, ka thënë Obama.

Ai po ashtu ka përshëndetur bashkëpunimin e SHBA-së me Bashkimin Evropian, i cili ka vendosur sanksionet e veta ndaj Rusisë të enjten.

Në një takim urgjent në Bruksel, udhëheqësit e BE-së kanë vendosur të pezullojnë bisedimet me Qeverinë e Putinit për një marrëveshje të gjerë ekonomike si dhe për heqjen e vizave për shtetasit rusë, të cilët duan të udhëtojnë brenda bllokut 28-anëtarësh.

Por, presidentët dhe kryeministrat e Bashkimit Evropian kanë qenë të ndarë për hapa më seriozë, të tillë si ngrirja e aseteve dhe ndalesat në udhëtime për zyrtarët rusë.(v.tela)