Maqedoni: Gruevski pranon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme

Nikolla Gruevski

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, e ka pranuar thirrjen për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas presionit nga partneri kryesor i koalicionit qeveritar, partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, që ka insistuar në kandidat të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Këtë shpallje kryeministri Gruevski e bëri pas takimeve me udhëheqësit e lartë të partisë së tij WMRO-DPMNE.

Mandati katërvjeçar i qeverisë së tij përfundonte në qershor të këtij viti.

Pas dështimit për arritjen e marrëveshjes për një kandidat konsensual për president të Maqedonisë, në zgjedhjet më 13 prill, BDI-ja ishte kërcënuar me bojkot.

Tash, Kuvendit i Maqedonisë pritet të shpërndahet javën e ardhshme, dhe do të caktohet data për zgjedhje, që me siguri do të zhvillohen më 27 prill, kur do të mbahet edhe rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni.