Urdhër për zbarkimin e trupave parashutiste në Kiev

Your browser doesn’t support HTML5

Përleshje të përgjakshme në Kiev

Ministri ukrainas i mbrojtjes, Pavlo Lebedev, lajmëroi sot se ka urdhëruar dërgimin e trupave paraushtarake në Kiev, skenë e përleshjeve të përgjakshme ndërmjet policisë dhe protetuesve anti-qeveritar.

Lebedev bëri të ditur se po zhvendos trupat parashutiste nga qyteti lindor Dnipropetrovsk për në kryeqytet, për t’i ruajtur depot ushtarake, ku janë të magazinuara sasi të armatimit dhe municionit.

Ish-ministri i mbrojtjes Anatoly Hrytsenko shkroi në rrjetin social Facebook se 500 forca nga Brigada e 25-të Parashutiste e Dnipropetrovsk do të zbarkojnë në Kiev.

Kjo është hera e parë që ushtria përfshihet në protestat që kanë dridhur Ukrainën prej nëntorit të vitit të kaluar, të cilat u nxitën nga refuzimi i presidentit Viktor Yanokovych që të përafrohet me Bashkimin Evropian.

Ndryshe, së paku 25 vetë janë vrarë në përleshjet e mbrëmshme ndërmjet protestuesve antiqeveri dhe policisë. Në mesin e viktimave janë edhe 7 policë, për të cilët thuhet të jenë vrarë nga të shtënat me armë.

Presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovich, ka kërkuar nga liderët e opozitës që të distancohen nga “radikalët”, duke u tërhequr vërejtjen se nëse këtë nuk e bëjnë, ai do të “bisedojë ndryshe” me ta.

Në deklaratën e zotit Yanukovich theksohet se disa pjesëtarë të opozitës e kanë kaluar kufirin, kur ata, siç ka dyshime, kërkuan nga mbështetësit të sjellin armë për demonstruesit në sheshin kryesor në kryeqytetin Kiev.

Presidenti Yanukovich këta njerëz i cilësoi si “kriminelë”dhe tha se ata do të ballafaqohen me drejtësi në gjykatë.

Ai ka theksuar se “ende nuk është shumë vonë për ta përfunduar konfliktin”. (f.b.)