Reklamat milionëshe të qeverisë dhe ndikimi në media

Ilustrim

Çështja e reklamave qeveritare në media, sërish ka ngritur debate mbi transparencën e këtyre fondeve, por edhe vazhdimin e praktikës që përmes reklamave të tilla, të blihet pavarësia e mediave.

Pavarësisht kërkesave të shumta, përfshirë edhe thirrjen e fundit të përfaqësuesve së OSBE-së për lirinë e mediave, Dunja Mijatoviq, nga Qeveria asnjëherë nuk ka dalë me të dhëna mbi shumat e harxhuara, ndërkohë që nëpër media çdo ditë publikohen reklama të shumta mbi aktivitetet e saj, e në veçanti në periudha parazgjedhore siç ndodhet edhe tani Maqedonia.

Veprimi i tillë, sipas njohësve të çështjeve mediatike, cenon pavarësinë e medieve, për shkak të ndarjes selektive të reklamave.

“Nuk pres se ajo do të jetë transparente dhe do të ndryshojnë gjërat. Pra, ajo do të vazhdojë me praktikën e deritanishme të reklamimit dhe të blerjes së mediumeve, të cilat do të detyrohen të punojnë për të. Në këtë mënyrë duke bërë selektime apo duke blerë një nga një të gjitha mediat, kjo qeveri mund të mbetet në pushtet edhe 100 vjet”.

“Mendoj se kjo formë e veprimit duhet të ndryshojë. Shoqata e gazetarëve gjatë negociatave që do të zhvillojë me qeverinë për çështjen e reklamave, duhet të insistojë në transparencë të plotë dhe në përfshirjen në mënyrë të barabartë të të gjitha mediumeve që të mos lihet asnjë hapësirë për ndikimin e saj në punë e tyre të informimit të pavarur”,
thotë Mirçe Adamçevski, ish -kryetar i Këshillit për radiodifuzion të Maqedonisë.

Opozita, e cila, po ashtu, ka reaguar për këtë fenomen, ka publikuar dokumente prej qindra mijëra eurosh të paguara nga qeveria për reklamim të fushatës së fundit zgjedhore, në vetëm një media të caktuar.

Situata e këtillë është pasojë edhe e mungesës e rregullativës së qartë ligjore, konsideron Qashif Bakiu, ligjërues i gazetarisë në Universitetin e Tetovës.

“Në një treg mediatik ku nuk kemi asnjë rregull, ku nuk kemi mënyra të tjera të reklamimit, padyshim se kjo formë e reklamimit paraqet blerjen e mediumeve, dhe më e rëndësishmja është se gjithë kjo reklamë për pushtetin bëhet me para të qytetarëve”.

“Megjithatë në një shoqëri të nënshtruar ndaj elitave politike, çfarëdo që të bësh, do të marrësh duartrokitjet e nevojshme dhe mendoj se ky është dhe qëllimi i elitave politike gjegjësisht asaj që është në pushtet. Pa dyshim se një veprim i tillë paraqet shkelje flagrante jo vetëm të Kodit Zgjedhor, por shkelen dhe normat etike dhe ato morale”
, vlerëson Qashif Bakiu.

Komunikologu Klime Babunski thotë se në një situatë të tillë të imponuar, e cila garanton gjithçka përveç pluralizmit mediatik, qeveria duhet të ndjekë shembullin e shteteve tjera demokratike që paratë për reklama t'ua ndajë mediumeve më të vogla.

Kemi të bëjmë me një absurd të paparë, pasi ato që sigurojnë më së shumti reklama kanë edhe të ardhura më të mëdha nga paratë qeveritare. Kjo nuk ka asnjë logjikë, pasi nëse dikush ka arritur që nga tregu të sigurojë më shumë para, atëherë që të sigurohet pluralizëm më i madh mediatik duhet që reklamat qeveritare të shkojnë te mediat që nuk kanë arritur të sigurojnë reklama nga tregu”, thotë Babunski.

Gjatë vizitës së fundit në Maqedoni, përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e mediave, Dunja Mijatoviq, kërkoi nga qeveria transparencë lidhur me reklamat dhe heqje dorë nga synimi për vendosjen e tyre nën kontroll.

Edhe Bashkimi Evropian ka kërkuar nga qeveria të dalë me të dhëna se sa para ka harxhuar për reklama. Një raport i vitit të kaluar i ekspertëve të Komisionit Evropian, tregon se qeveria ka një buxhet vjetor prej 20 milionë eurosh për reklama, me çka edhe paraqitet si reklamuesi më i madh në vend.