Facebook-u, pjesë e pandashme e jetës

Ilustrim

http://www.evropaelire.org/externalaudio-FLRM/Audio/1085543.html
Rrjeti social Facebook u themelua më 4 shkurt 2004. Faqja fillimisht ishte e hapur vetëm për studentët e Harvardit. Faqja zgjerohet në Columbia, Stanford dhe Yale. Universitetet tjera i bashkohen më vonë. Deri në fund të vitit 2004, Facebook fiton gati një milion përdorues aktivë.

Sot, facebook ka rreth 1.1 miliard përdorues.

Ky rrjet social përdoret shumë edhe nga kosovarët. Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë kemi marrë mendimet e disa të rinjve rreth asaj se sa e përdorin ata Facebook-un dhe sa u duket i nevojshëm.

Agron Hyseni, student e konsideron rrjet social të dobishëm për shpërndarjen e informatave .

“Facebook-un e shoh si një mundësi të mirë të komunikimit social. Nëse përdoret në mënyrë të drejtë, e konsideroj si shumë të dobishëm, qoftë në shpërndarjen e informatave, por edhe në qasje dhe kontaktim me njerëz të ndryshëm”, thotë Agroni.

Rrjeti social Facebook kaloi tetë vjet duke i shtyrë përdoruesit e tij të ndajnë gjithçka që u pëlqen dhe çdo gjë që ata bëjnë. Tani, aty është e mundur që njerëzit të gjejnë çdo gjë, pasi ofron të dhëna të mjaftueshme. Pra, kompania zbuloi një mjet të ri, të quajtur grafiku i kërkimit. Kjo është ambicia më e madhe e Facebook-ut, për të përmbysur bizneset e kërkimit, që është sunduar nga rivali i saj kryesor, Google.

Labinot Morina, student i në AUK, thotë se është njoftuar me njerëz të rinj përmes këtij rrjeti dhe vazhdon të informohet shpesh për gjërat që s’i di, si dhe shkëmben informata të ndryshme.

“Shumë shpesh flas me shokë. Marr informata rreth fakultetit. Shikoj foto të shokëve edhe jam njoftuar edhe me njerëz të rinj. Më ka ndodhur të pyes për diçka që s’e kam ditur me njerëz jashtë shtetit dhe kam marrë informata për shtete të ndryshme”, tregon përvojën e tij Labinoti.

Mirëpo, për Faikun, ky rrjet po merr kohë aq shumë, sa që, sipas tij, ka filluar të bëhet i dëmshëm.

“Facebook-u është bërë pjesë e pandashme e jetës së secilit qytetar që ka internet, ku këmbehen informacione të ndryshme. Por, atë që e shoh si devijuese është se njerëzit kanë krijuar një varshmëri edhe mendoj që po shpenzohet kohë e tepërt duke qëndruar pranë kompjuterit. Dhe, duke pasur gjithnjë e më shumë qasje në Facebook, humbet kreativiteti dhe do të ketë deficiencë sa i përket stilit të shëndoshë të jetës, duke mos pasur aktivitete fizike. Unë në këtë aspekt e shoh si të dëmshëm, pavarësisht të mirave që i ka”, thekson Faiku.

Disa nga të anketuarit thonë se në të shumtën e rasteve klikojnë Facebook-un për qëllime profesionale, komunikim, por edhe për të marrë informacione rreth shokëve të tyre, si dhe për të krijuar shoqëri të re.

“E përdori për të krijuar shoqëri, për të komunikuar me të afërmit. Mua më ka ndodhur që të bëj shoqëri të re, nga Zvicra, Gjermania. Edhe pse s’i njoh, Facebook-u na ka bashkuar”, thotë Tringa.

Më 4 shtator 2006 , rrjeti social Facebook u hap për të gjithë njerëzit që dëshironin t’i bashkoheshin.

Arieta Kastrati, punonjëse e njërës nga bankat në vend, thotë se ka llogari në në rrjetin social Facebook dhe se vazhdimisht e përdor.

“Facebook-un e përdori përmes telefonit. E përdori për punë, për ndonjë lajm, gjithçka që ndodh e di përmes Facebook-ut, pasi që e përdori përmes telefonit e mbaj hapur gjithë kohën”, shprehet Arieta.

Rrjeti social, Facebook, ka qenë duke punuar për më shumë se dy vjet në një projekt që është jetik për të zgjeruar bazën e tij të 1.1 miliard përdoruesve: mundësinë për përdorimin e rrjetit social në telefona mobil të thjeshtë dhe të lirë, që janë zhdukur në masë të madhe në Amerikë dhe Evropë, por janë ende të rëndomtë në vendet në zhvillim si India dhe Brazili.

Facebook-u së shpejti planifikon të shpallë rezultatet e para të iniciativës, të cilën ajo e quan "Facebook për çdo telefon".