MTI: Nafta për ngrohje në shkolla është në rregull, Prishtina u ngut

Ilustrim

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë thotë se derivatet e naftës të përdorura për ngrohje në shkollat e Prishtinës janë brenda standardeve të përcaktuara me ligjet dhe rregulloret në fuqi në Kosovë, dhe se komuna e Prishtinës mori vendim të ngutshëm.

Në një komunikatë të postuar në faqen zyrtare të ministrisë, thuhet se trupat e autorizura të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë konstant vëzhgojnë naftën dhe derivatet e saj në Kosovë, duke marr mostrat e naftës.

Sipas këtij njoftimi, thuhet se pas shqetësimeve të dala se në shkollën fillore “Gjergj Fishta” në Prishtinë përdoren derivate të naftës për ngrohje jashtë standardeve të lejuara, inspektorët e tregut kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për kontrollin e cilësisë së derivateve të naftës në rezervuarët e kësaj shkolle.

“Analizat e dala rezultojnë që ky derivat i naftës është JO konform me kërkesat e përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 17/2012 për përdorim në automjete të transportit, mirëpo plotësisht në përputhje me UA për përdorim për ngrohje”, thuhet në këtë njoftim.

Rezultatet e dala nga dy shkollat tjera kanë rezultuar me përmbajtje të sulfurit prej, 175 ppm, dhe 84 ppm, thuhet në njoftim për të shtuar se ato “janë në suaza të pranueshme për derivatet e naftës që përdoren për ngrohje sipas UA 17/2012”.

MTI gjithashtu thotë se inspektorët e saj kanë marrë mostra edhe në deponinë e furnizuesit dhe sipas rezultateve të testimit ka dalë të ketë përmbajtje të sulfurit më të vogël se 5 ppm (saktësisht 4.56 ppm), dhe se për këto rezultate ka informuar edhe autoritetet relevante komunale.

MTI konsideron se “është konkludim i ngutshëm dhe joprofesional të klasifikohet një karburant si kancerogjen duke u bazuar vetëm në përmbajtjen e sulfurit në atë karburant”.

“Përmbajtja e sasisë së sulfurit në këto karburante të testuara është brenda kufirit të lejuar për vajrat për ngrohje".

"Vlen të theksohet gjithashtu se është përgjegjësi e menaxhmentit të autoriteteve komunale që të sigurohen që rezervuarët ku deponohet nafta janë të pastruara dhe nuk përmbajnë materie të cilat mund të dëmtojnë kualitetin e derivateve të naftës. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me institucionet komunale dhe të ofrojmë mbështetje institucionale që rastet e tilla të mos përsëriten”, thuhet në këtë njoftim.

MTI ka sqaruar se në kuadër të mandantit që ka, ajo vëzhgon cilësinë e naftës së importuar në Kosovë, dhe tregtimin brenda vendit.

“Prandaj, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë njofton qytetarët se nafta që importohet dhe tregtohet në Kosovë është sipas standardeve të lejuara. Nafta në tregun e Kosovës është brenda standardeve të parashikuara me ligj, e parrezikshme për shëndetin, dhe e pranuar me standardet e Bashkimit Evropian”, thuhet në këtë njoftim.