Avokati i popullit dënon dhunën, ofron veten për ndërmjetësim

Ilustrim

Institucioni i Avokatit të Popullit thotë se janë cënuar të drejtat dhe liritë e njeriut gjatë protestës së sotme të studentëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, të zhvilluara para rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

“Eskalimi i situatës në përleshje midis protestuesve dhe forcave policore, në hyrje të hapësirave ku ndodhet Rektorati, është i rrezikshëm, i dëmshmëm dhe i papranueshëm”, thuhet në deklaratën e ombudspersonit dërguar medieve.

Në gjithë këtë situatë, sipas avokatit të popullit, është e “domosdoshme vetëpërmbajtja e të gjitha palëve nga çdo veprim që çon në përkeqësim të gjendjes së krijuar”.

Sipas këtij njoftimi, situata e krijuar dhe konfrotimi i dhunshëm para Rektoratit janë, siç thuhet, produkt i mungesës së debatit të dosmosdoshëm të botës akademike, si dhe lëndimi i dhjetëra protestuesve dhe policëve, është pasojë e drejtëpërdrejtë e mungesës së këtij debati.

Avokati i popullit sugjeron që ky debat i zhvendosur në rrugë, të rikthehet brenda botës universitare, për të gjetur zgjidhje të pranueshme dhe në pajtim me standardet universale Bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore.

Avokati i popullit po ashtu shpreh gatishmërinë “që të ndërmjetësojë” për të tejkaluar ngërçin mes studentëve dhe organeve udhëheqëse të Univeristetit të Prishtinës, nëse të dy palët pajtohen për këtë.