Nxënësit e ciklit të ulët - të mbingarkuar

©Shutterstock

Sistemi i arsimit në Kosovë, vazhdon të përballet me shumë sfida dhe vështirësi. Por sipas ekspertëve të arsimit, problematikë mbetet shkollimi parauniversitar.

Fevzi Berisha, ekspert i arsimit i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sfidë mbetet sidomos cikli i ulët nga klasa e parë deri në të pestën, ku siç thotë ai, nxënësit kanë shumë tekste shkollore, kanë çantat e rënda, derisa shton se asnjëherë nuk ka pasur iniciativë se si të lehtësohet kjo punë.

“Është një problem permanent dhe një shqetësim i prindërve dhe fëmijëve por edhe ekspertëve të arsimit sidomos tekstet në shkollën fillore të ulët janë të mbingarkuar dhe duhet paraprakisht të bëhet një rishqyrtim i teksteve dhe MASHT të bëjë lehtësimin e këtyre teksteve, duke i marrë parasysh kërkesat e fëmijëve por edhe të mësimdhënësve. Zakonisht tekstet po përgatiten te ne në Kosovë nga mësimdhënësit universitarë e ata nuk kanë qasje në mësimdhënës të nivelit të ulët”.

“Asnjëherë nuk është bërë analiza se sa janë të përshtatshme ato tekste për nivelin që ju dedikohet dhe të merren opinione nga vetë nxënësit. Ne marrim ndoshta tekste të niveleve të shteteve të zhvilluara, por ata paraprakisht janë të përgatitur dhe ato tekste ju parashtrohen një recensioni paraprak nga vetë prindërit, nxënësit dhe vetë mësimdhënësit. Te ne kjo nuk është traditë, vetëm përgatitet teksti, dhe sa është i përshtatshëm ai tekst për ata fëmijë nuk është bërë një shqyrtim i tillë në Kosovë”, thotë Berisha.

Ndryshe Arbër Morina, zëdhënës në Ministrinë e Arsimit Shkencës e Teknologjisë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se përshtatshmëria e teksteve me moshat e nxënësve është në fazën e fillestare të kurikulit të ri të sistemit arsimor, andaj me kohë do të shihet se do të vazhdohet ose jo me këtë sistem.

“Divizioni përkatës i analizon përshtatshmërinë e teksteve me moshat e nxënësve por duhet ta keni parasysh që ne jemi në fazën fillestare të kurikulit të ri të sistemit të arsimit parauniversitar. Kjo është në fazën e pilotimit në 10 shkolla të republikës së Kosovës . pasi të përfundon kjo fazë do të ketë debate të hapura dhe do të vendoset për zbatimin e plotë të kornizën e re të korikulit. Kjo është bërë me ekspertët më eminent të arsimit vendor dhe ndërkombëtar”, shprehet Morina.

Ndërkaq prindërit e fëmijëve të cilët vijojnë ciklin e ulët, kanë ankesa të shumta për sistemin aktual mësimor.

Ata thonë se përveç fëmijëve të cilët janë të mbingarkuar me mësime dhe tekste tejet të komplikuara, edhe vetë prindërit duhet ndarë shumë orë në ditë që t’u ndihmojnë fëmijëve të tyre.

“Për fëmijët në klasë të dytë janë shumë detyra. Edhe ne po ngarkohemi me ta. Për një ditë ja kanë dhënë 20 faqe. Kanë detyra në matematikë shumë. Dy faqe gati çdo ditë. Ne jemi të ngarkuar si prind shumë, sepse ata nuk munden t’i bëjnë detyrat vetë, edhe ne gjithë kohën duhet ta kalojmë me detyra”, thotë Mimoza Rama, prind.

E sociologët në vend flasin për atë se fëmijët në Kosovë ende vlerësohen në bazë të asaj se çka ata kanë mbajtur mend gjatë procesit mësimor, e nuk u mësohet të menduarit kritik.

“Unë konsideroj që qasja kritike, të menduarit kritik, analizimi i teksteve nuk është duke u zhvilluar në mënyrë të duhur. Ende e kemi atë qasjen ku fëmijëve ende ju duhet të mbajnë mend, ju kërkojnë t’i memorizojnë, dhe ashtu vlerësohet dituria e tyre. E nuk ju kultivojnë mendimin kritik”, thotë Linda Gusia, sociologe.

Derisa Fevzi Berisha, ka shtuar gjithashtu se duhet që Ministria e Arsimit të marrë masa në mënyrë që të shqyrtohen me përpikëri reformat që ky institucion ka ndërmarrë.

Duhet në të ardhmen të bëhet shqyrtimi, me reformat e MASHT-it. Në Kosovë, nga problemet e përgjithshme në shoqëri, në arsim duhet të kemi kujdes, sepse nuk mund të bëjmë hapa shumë të shpejtë, pa e shqyrtuar se sa kanë njohuri fëmijët tonë, sa janë të përgatitur kur e fillojnë shkollimin, sa ju kanë nënshtruar përgatitjeve paraprake me mësimdhënës”.

“Unë përpos që jam prind, jam edhe autor i teksteve dhe i di problemet në shkollimin parauniversitar. Duhet të bëhet rishqyrtimi i teksteve dhe të merret një opinion dhe të lehtësohen këto tekste, dhe të përgatiten ashtu që sa kanë njohuri fëmijët ashtu edhe të mësojnë”, bën të ditur Berisha.