Arrestohet Oliver Ivanoviq, i dyshuar për krime lufte

Oliver Ivanoviq, foto nga arkivi

Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, përmes një komunikate për shtyp ka njoftuar se intervistimi i kryetarit të Iniciativës Qytetare "Serbia, Demokracia, Drejtësia", Oliver Ivanoviq ka përfunduar me kërkesën e prokurorit për të ekzekutuar urdhërin për arrestim.

Nëpërmjet një komunikate, EULEX ka bërë të ditur se gjatë ditës, "Oliver Ivanoviq është paraqitur vullnetarisht në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut, me marrëveshje paraprake në mes të një prokurori ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) dhe përfaqësuesit ligjor i Oliver Ivanoviqit".

"Prokurori pastaj ka zhvilluar një intervistë me Oliver Ivanoviqin, si i dyshuar në një hetim për krime të luftës, së bashku me akuzat për vrasje të rëndë të kryer pas konfliktit".

"Intervista ka përfunduar dhe prokurori ka ekzekutuar urdhrin për arrestim, dhe është duke kërkuar nga gjykata që të marrin në konsideratë kërkesën për paraburgim", thuhet në komunikatën e lëshuar nga misioni evropian, në të cilën gjithashtu bëhet e ditur se aktualisht, kërkesa për paraburgim i është paraqitur gjykatës.

Deri në vendimi e gjykatës, nga EULEX-i pohojnë se Ivanoviq mbetet në paraburgim.

Në orët e mesditës, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se misioni evropian ishte duke kryer një aksion në veri të Mitrovicës.

Iniciativa qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”, reagoi ndaj informacioneve në media, para se të bëhej publike komunikata e EULEX-it, se kryetari i saj, Oliver Ivanoviq, është arrestuar.

Në komunikatën e saj thuhej se “Ivanoviq nuk është arrestuar, por si qytetar i përgjegjshëm, i është përgjigjur thirrjes së EULEX-it për të dhënë deklaratë”.

“Kjo thirrje ka absolutisht qëllim politik, për të krijuar një balancë me arrestimet në komunitetin shqiptar. Padyshim se ka për qëllim edhe shkaktimin e frikës dhe jostabilitetit në të gjithë komunitetin serb në Kosovë”, thuhet në reagimin e subjektit politik që udhëhiqet nga zoti Ivanoviq.

Misioni evropian nuk ka dhënë më shumë hollësi për aksionin e zhvilluar në veri të Mitrovicës dhe as detaje për dyshimet e ngritura. (a.v.)