Maqedoni: BDI-ja s’heq dorë nga presidenti konsensual

Shkup...

Partia shqiptare në pushet, BDI, pas takimit kryesisë qendrore të mbajtur një ditë më parë, të premten ka kumtuar se “ende nuk ka një qëndrim të prerë për ose kundër zgjedhjeve të parakohshme.

Ajo ka bërë të ditur se vendimi do të merret pas raportimit të zyrtarëve të kësaj partie për nivelin e zbatimit të marrëveshjes politike ndërmjet dy partnerëve të koalicionit dhe zbatimin e programit të BDI-së, i cili është integruar në programin qeveritar.

Sipas zëdhënësit të BDI-së, Bujar Osmani, vendimi për zgjedhje parlamentare do të jetë i pavarur nga qëndrimet e partive tjera.

Ai thotë se tema për zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk është hapur me asnjë parti dhe as me përfaqësuesit ndërkombëtarë.

“Në bazë të këtyre analizave, do të mund të sjellim një vendim ose një konkluzion se a ka kushte ose nevojë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme me atë që ky vendim të jetë vendim në bazë të interesave të elektoratit shqiptar, elektoratit të BDi-së dhe vetë BDI-së, pavarësisht se cilat janë qëllimet ose politikat e partive të tjera politike”, është shprehur Osmani.

Ai ka theksuar se partia e tij mbetet në qëndrimin për një kandidat konsensual dhe kësaj ideje do t’i qëndrojë pas deri në afatin e fundit për shpalljen e zgjedhjeve presidenciale dhe propozimin e kandidatëve për president.

BDI-ja, sipas Osmanit, këtë standard të ri do të përpiqet ta formalizojë edhe në akte juridike.

“Sigurisht se kjo do të jetë nismë për një proces të tillë formal, por tash nuk ka kohë për formalizime të tilla, kështu që mendoj se duhet të etablohet si standard, të kuptohet mirë si koncept dhe të pranohet nga të gjithë qytetarët se kjo është e vetmja e ardhme e sigurt e këtij vendi”.

“Pastaj, kur do të kuptohet në mentalitetin e qytetarëve, shumë lehtë do të formalizohet. BDI-ja do t’i vazhdojë përpjekjet që pajtimin për një kandidat konsensual për president, ta arrijë fillimisht me partnerin e koalicionit qeveritar”,
ka shpjeguar Osmani, duke shtuar se, “Ahmeti vazhdon takimet e rregullta me Gruevskin, ku trajtohen të gjitha çështjet, përfshirë edhe çështjen për një kandidat konsensual për president”.

Situata e krijuar me bllokimin e procesit integrues, si dhe çështja e zgjidhjes së presidentit të shtetit, ka qenë temë debati edhe në takimin e së premtes në orët e pasdites ndërmjet ambasadorit amerikan në Shkup, Poll Volers, dhe kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, deputetët e së cilës parti nuk i kanë mbështetur ndryshimet në Kodin zgjedhor miratuar ditë më parë në Parlament.

Kryetari i partisë shqiptare në opozitë, pas takimit ka deklaruar se në këtë takim nuk është hapur tema për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërkohë që është shprehur i bindur se ato do të realizohen.

“Aktrimi i palës tjetër, më ngjan në një gjë të tillë. Ne do të jemi të detyruar të dalim në zgjedhje, nëse BDI-ja vendos të përballet me ne në proces zgjedhor”, është shprehur Thaçi.

Nga ana tjetër, Jusuf Zeneli, ligjërues në Fakultetin Juridik në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ka theksuar se partitë politike përfundimisht betejën duhet ta bëjnë në ndryshimet kushtetuese në nenin 79, ku theksohet se kryetari i shtetit është ai që përfaqëson Republikën e Maqedonisë dhe interesat e saj - duhet shtuar dhe elementi se kryetari i shtetit duhet të përfaqësojë dhe karakterin multi-etnik të Maqedonisë.

“Pra, duhet theksuar se kryetari i shtetit përfaqëson Maqedoninë, por në ushtrimin e kompetencave, gjegjësisht gjatë realizimit të detyrave të tij, të përcaktuar të manifestojë edhe karakterin multi-etnik të shtetit, ky do të ishte një mekanizëm përmes së cilit do të garantohej dhe realizimi praktik i të drejtave, respektivisht duke përfaqësuar interesat e të gjitha bashkësive etnike në vend”, është shprehur Zeneli.