Serbia duhet t’i kthejë kursimet e kosovarëve

Ilustrim

Ekzistojnë variante të ndryshme lidhur me sasinë e mjeteve të kursyera nga kosovarët në bankat e ish-Jugosllavisë, që në periudhën e paraluftës operonin në Kosovë. Sipas ekspertëve për çështje ekonomike, thuhet se vlera arrin në mbi 500 milionë marka gjermane.

Në atë kohë në Kosovë bankat kryesore të ish- Jugosllavisë kanë qenë “Jugobanka”, “Banka e Lubjanës” dhe “Bankos”, e që kursimtarët mjetet e tyre financiare në këto banka i kishin të kursyera, kryesisht në valutën gjermane (DEM), por edhe në valuta tjera.

Lidhur me këtë, ekspertë për çështje ekonomike, shprehin shqetësimin pse deri më tani asnjë qeveri nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për rikthimin e kursimeve në Kosovë.

Nazmi Mustafa, tashmë rektor në Kolegjin Privat “Globus”, në atë kohë ka qenë kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës. Ai thotë se me shkatërrimin e sistemit në Kosovë, Serbia e ka bërë edhe “plaçkitjen” e të gjitha kursimeve në banka. Sipas tij, vlera e kursimeve llogaritet të jetë 500 milionë marka.

“Në atë kohë, sa unë e di, ndoshta nuk janë të përafërta, por kanë qenë gjysmë miliardi marka gjermane, sepse euro nuk ka pasur. Dhe, afër 10 për qind të tyre kanë qenë në dollarë amerikan”, thotë Mustafa.

Ismail Kastrati, njohës i çështjeve ekonomike, gjatë periudhës 1995 deri në vitin 1999, ka qenë kryetar i Këshillit Qendror të Financimit të Kosovës. Në librin e botuar “Rrënimi dhe rimëkëmbja e Kosovës (1998- 2005)” Kastrati shkruan se deri në fund të vitit 1997, kursimet e kosovarëve kanë qenë 592 milionë marka.

Ai, për Radion Evropa e Lirë, thotë se 66 për qind e shumës së kursimeve kanë qenë të ruajtura në valutën gjermane.

Kastrati thotë se autoritetet shtetërore duhet patjetër që këtë çështje ta ngrenë gjatë bisedimeve Prishtinë-Beograd, që po zhvillohen në Bruksel.

“Kosova duhet të kërkojë gjatë bisedimeve jo vetëm kursimet devizore, por edhe humbjet e shkaktuara nga dëmtimi fizik apo fitimin e humbur. Normalisht, çështjen e punëtorëve të larguar me dhunë nga puna. Dhe janë një mori kërkesash që duhet t’i bëjë Kosova”.

“Unë, për shembull, në botimin tim e kanë bërë bilancin e dëmeve të luftës, fizikisht dhe materialisht. Diku del se ekonomia e Kosovës, duke filluar nga ekonomia familjare deri tek ekonomia shoqërore, është dëmtuar për pesë miliardë e 76 milionë euro”, bën të ditur Kastrati.

Nazmi Mustafa, ndërkaq, konsideron se zgjidhja e kësaj çështjeje kërkohet me ndonjë vendim të Kuvendit të Kosovës. Në mënyrë, siç thotë ai, në bisedimet e ardhshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duhet të bisedohet për bilancin e ndarjes mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pasi tashmë ne jemi shtet, Kosova edhe ashtu duhet bërë një bilanc të ndarjes me Serbinë. Dhe, një prej borxheve që i ka mbetur Serbia Kosovës janë edhe kursimet e qytetarëve, sepse ata i kanë shfrytëzuar më tepër se 10 vjet bankat në Kosovë, gjithashtu edhe kursimet e qytetarëve i kanë uzurpuar”, thekson Mustafa.

Por, kjo çështje është ngritur një herë në procesin e negociatave të Vjenës, që janë mbajtur para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Muhamet Mustafa, aktualisht deputet në Kuvend nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në atë kohë ka qenë koordinator i ekipit për çështje ekonomike në Grupin Negociator.

Mustafa thekson se Serbia ka refuzuar të gjitha përgjegjësitë që kanë ndodhur gjatë regjimit të saj në Kosovë.

“Të gjitha këto kursime, sikurse edhe bankat kanë qenë të pushtuara dhe në mënyrë të dhunshme janë transferuar në Serbi. Prandaj, është kërkuar edhe atëherë, edhe sot duhet të kërkohet që ashtu si janë marrë, depozitat duhet të kthehen. Ndërkohë, siç dihet, Serbia ka refuzuar të gjitha këto përgjegjësi edhe për shumë gjëra që kanë ndodhur gjatë regjimit të saj, në vitet 90 në Kosovë”, thotë Mustafa.

Në mungesë të veprimit institucional, pas përfundimit të luftës, disa agjenci apo edhe persona, me një përqindje të lartë, patën filluar të gjenin mundësi që qytetarët kosovarë t’i tërhiqnin kursimet e tyre.

Deri më tani nuk dihet saktë se sa është shuma e tërhequr, vetëm nga ekspertët vlerësohet se kjo shumë duhet të jetë simbolike.