Kosovë: Sfidohet Ligji për kontrollin e duhanit

Ilustrim

Nga data 22 maj e vitit 2013, Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi. Vullneti i disa qytetarëve për ta zbatuar ligjin nuk ka munguar, po nuk kanë munguar as ata që vazhdimisht kanë shkelur këtë ligj.

Sipas zyrtarëve që merren me këtë çështje, zbatimi i ligjit nuk është në niveli ne dëshiruar.

Iliriana Zymberaj, kryeinspektore, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se viti 2014, do të jetë vit i monitorimit dhe për shkelësit e ligjit për kontrollin e duhanit do të merren masa ligjore.

"Në përgjithësi gjatë vitit 2013, gjatë monitorimit janë bërë 1,700 inspektime dhe nga këto inspektime vetëm 85 fletëparaqitje për gjykatë. Në përgjithësi, ligji po respektohet, por jo kënaqshëm, ne nuk jemi të kënaqur komplet me zbatimin, por për fillim dhe hapat e parë kanë qenë të suksesshëm, krahasuar me vitet paraprake".

"Gjatë vitit 2013 kemi shkuar me formë më të lehtë të zbatimit të ligjit, kemi dhënë afat kohor për përmirësim të situatës, por viti 2014 do të jemi më rigoroz, dhe gjithmonë për shkelësit do të ketë masa ligjore", bën të ditur Zymberaj.

Derisa Shkumbin Spahiu, zyrtar i Qendrës Kosovare për Zhvillim dhe Avokim (KADC), organizatë kjo që merret me monitorimin e Ligjit për kontrollin e duhanit, ka bërë të ditur se edhe përkundër shkeljes së ligjit, siç tha ai, brengosëse mbetet fakti se disa shkelës të ligjit nuk po dënohen.

"Deri diku jemi të kënaqur, sepse shkeljet gjithsesi ka qenë evidente sidomos me ftohjen e motit. Por ne jemi të kënaqur me përgjigjen e inspektoratit sanitar dhe organeve tjera për këto raste, sepse këto raste janë adresuar nëpërmjet telefonit dhe ka pasur një përgjigje nga ana e inspektoratit. Por ndryshimi kulturor është një proces afatgjatë kjo kërkon mbështetje 24 orë të zbatimit të ligjit".

"Komunat e mëdha është duke u respektuar në nivel jo të kënaqshëm , ka shkelje , por respektohet deri diku. Prishtina qëndron më mirë, janë disa oaza ku nuk respektohet si qendra tregtare në bregun e diellit, dhe është një lokal i njohur për të gjithë, ku gjithmonë raportohet, por është brengosëse pse nuk dënohet", thotë Spahiu.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë Ferid Agani ka thënë se ata të cilët po e sfidojnë ligjin për kontrollin e duhanit, hapësira do tu ngushtohet çdo ditë e më shumë.

"Duhet të theksoj se bashkëpunimi me nivelin qendror atë lokal dhe me shoqërinë civile, cilësohet me një seriozitet. Jemi të vetëdijshëm për mangësitë në zbatimin e këtij ligji, ku ka shkelje të këtij ligji, sidomos në mjediset në qendrat më të vogla urbane, dhe atë veçanërisht pas orarit të punës dhe në mbrëmje. Por jam i bindur se hapësira e atyre që janë të gatshëm të sfidojnë zbatimi ne ligjit, çdo herë e më shumë do të ngushtohet", thotë ministri Agani.

Ndërkaq, udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skender Syla ka bërë të ditur se Ligji për kontrollin e duhanit është një ligj shumë i qartë, gjithëpërfshirës e që ka për synim mbrojtjen e shëndetit të popullatës, duke shtuar se ai tashmë është miratuar dhe duhet patjetër të respektohet.