A mund të afrojnë krizat Uashingtonin dhe Teheranin?

Washington...

Siria, Iraku, Afganistani, përhapja e armëve bërthamore – të gjitha këto janë kriza, në të cilat Perëndimi dhe Irani kanë aksione të mëdha.

Por, a munden këto dy palë, sidomos Uashingtoni dhe Teherani, të ulin tensionet mjaftueshëm për t’u bërë partnerë në krijimin e paqes globale apo edhe për t’u afruar me njëri-tjetrin?

Pyetja shtrohet pasi Irani dhe gjashtë fuqitë botërore kanë vendosur këtë javë një pikë referimi për bashkëpunim, duke u pajtuar për fillimin e zbatimit të marrëveshjes së përkohshme bërthamore më 20 janar.

Mosrespektimi i angazhimeve mund të rrënojë shpresat se marrëveshja e përkohshme do të çojë në zgjidhje të plotë të krizës bërthamore të Iranit. Por, tani për tani, marrëveshja duket se ka mënjanuar kritikat dhe ka hapur rrugën për angazhime të mëtejshme.

Ghanem Nuseibeh, analist me seli në Londër, e shpjegon në këtë mënyrë:

“Ajo çfarë po ndodh tani midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është se ata po kalojnë në një proces të gjatë të rindërtimit të besimit, i cili është shpartalluar 35 vjet më parë, qysh nga Revolucioni Islamik. Andaj, gjërat nuk do të ndryshojnë brenda natës, por do të lëvizin në një drejtim, ku do të ketë ndërtim gradual të besimit, jo vetëm për çështjen bërthamore, por për të gjitha çështjet rajonale me interes të përbashkët”, thotë Nuseibeh.

Një tjetër zonë ku angazhimi ka nisur tashmë të hulumtohet është kriza në Siri.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka takuar të hënën homologun rus, Sergei Lavrov, në Paris, për të diskutuar mënyrat se si Teherani mund të marrë pjesë në konferencën e paqes për Sirinë, më 22 janar në Zvicër.

Nuseibeh thotë se vullneti i Iranit për t’u angazhuar vjen nga shumë faktorë, përfshirë presionin nga sanksionet ekonomike dhe pozicionin e presidentit Hassan Rohani se Teherani mund të fitojë më shumë përmes negociatave sesa konfrontimit.

Por, Rohani nuk ka folur kurrë për përmirësimin e drejtpërdrejtë të marrëdhënieve me Uashingtonin dhe nuk ka fuqi për ta bërë këtë. Kjo qëndron me udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Alhi Khamenei.

Ngjashëm, edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, nuk ka folur kurrë për uljen e armiqësive, por është duke luftuar kundër atyre në Kongres që duan të shrëngojnë sanksionet ndaj Teheranit.

Megjithatë, ka edhe arsye të tjera që do ta bëjnë të vështirë për Uashingtonin dhe Teheranin që të arrijnë së shpejti një afrim, edhe nëse e dëshirojnë këtë.

Scott Lucas, ekspert për Iranin dhe Lindjen e Mesme, thotë se në disa kriza, Irani dhe Shtetet e Bashkuara janë lojtarë kryesorë dhe mund të përcaktojnë plotësisht rezultatet.

Por, në disa të tjera nuk munden, pasi ato përfshijnë lojtarë të tjerë që i komplikojnë më tutje marrëdhëniet e tyre.

Një shembull është kriza në Siri, e cila përfshin një rivalitet të ashpër rajonal midis Iranit dhe Arabisë Saudite – një aleat i SHBA-së.

“Qeveria e Rohanit ka marrë udhëheqjen verën e kaluar, me shpresën se mund të përmirësojë marrëdhëniet me Arabinë Saudite. Ajo ka folur për angazhimin e saj me Riadin, por çështja e Sirisë ka ndërhyrë shumë, pasi pjesa më e madhe e opinionit, brenda regjimit iranian – lideri suprem, klerikët, ligjvënësit – janë armiqësorë ndaj Arabisë Saudite, duke e akuzuar atë për mbështetje të sulmeve terroriste në Siri dhe Liban. Kështu që nuk ka hapësirë politike, ku Irani mund të kërkojë përafrim me Arabinë Saudite. Për aq kohë sa situata është kështu, do të ketë komplikime”, thotë Lucas.(v.tela)