http://www.evropaelire.org/externalaudio-FLRM/Audio/1069227.html
Ndonëse të gjithë i dënojnë paragjykimet, prapë vazhdojnë t’i bëjnë. Thonë se paragjykimet që i bëjnë, kryesisht janë negative dhe bëhen pa u mbështetur në fakte.
Studentë të anketuar për rubrikën “VOX”, të Radios Evropa e Lirë, flasin për paragjykimet që iu bëjnë kolegëve të tyre, të cilët studiojnë në universitetet private në Kosovë, dhe anasjelltas studentë, të cilët ndjekin studimet në universitet private, që iu bëjnë kolegëve të tyre në universitetin publike.
Paragjykimet janë nga më të ndryshmet, thonë ata, duke filluar nga mënyrat e regjistrimit në fakultet, e deri te marrja e diplomave universitare.
Studentët që studiojnë në Universitetin Publik të Prishtinës, thonë për studentët në universitetet private se kanë më shumë para dhe janë regjistruara aty pasi që nuk kanë arritur të regjistrohen në atë publik, për shkak të paaftësive.
Ndërkaq, studentë, të cilët studiojnë në universitetet private, thonë për ata që janë në universitet publik, se janë regjistruar aty, pasi që kanë pasur dikë që iu ka ndihmuar, sepse në të kundërtën nuk kishin mundur ta arrijnë.
Sidoqoftë, më të paragjykuarit janë studentët, të cilët studiojnë në fakultetet private.
Zana Vokshi, studente në Fakultetin publik të Arkitekturës, tregon se paragjykime ka shumë, por krahasuar me vitet paraprake, kjo dukuri tani është më pak e theksuar.
“Kushtimisht, ne që studiojmë në Universitetin e Prishtinës, paragjykojmë më shumë ata që studiojnë në universitete private. Paragjykimet mendoj se janë te qasja e profesorëve që ndoshta është më e lehtë sesa në atë publik”, vlerëson Zana.
Elmedina Morina, po ashtu studente në Universitetin Publik të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, mendon se paragjykimet janë bërë jashtëzakonisht shumë nga studentët që studiojnë në universitetin publik, karshi atyre privat, por me kalimin e kohës, këto paragjykime janë zbehur.
“Besoj që paragjykimet janë më pak sesa që kanë qenë më herët. Tani pasi që po përballemi me shumë vështirësi, secili prej nesh e ka kuptuar se cilat janë kushtet, si në atë publik, po ashtu edhe në atë privat. Gjithçka gati e njëjtë, nuk ka ndonjë dallim, kështu që edhe paragjykimet tani më janë më pak të shprehura”, shprehet Elmedina.
Paragjykimi - dukuri jo e mirë dhe që nuk do të duhej të ishte te një shoqëri e civilizuar, por gati është bërë e pashmangshme për disa studentë, kur bëhet fjalë për studentët në universitetet private.
Disa studentë thonë se në universitetet private, metodat e mësimdhënies janë më bashkëkohore sesa në ato publike. Ndërkaq, disa studentë thonë se universiteti publik të ofron më shumë dije se ai privat.
Besart Dumnica, student në një fakultet privat në Prishtinë, tregon se paragjykimet për studentët në universitetet private, nuk kanë të ndalur. Ai thotë se paragjykimet shkojnë deri edhe te notimi:
“Ka raste kur paragjykojnë se nëse në (universitet) publik duhet të mësosh për një notë gjashtë apo shtatë, në universitetet private nëse mëson për notën gjashtë, mund ta marrësh nëntë, e edhe notën dhjetë”.
Fidan Hajra, i cili tashmë ka përfunduar studimet në Universitetin Publik në Mitrovicë, në drejtimin Teknologji ushqimore, tregon se ka pasur shumë paragjykime për universitetet private, madje siç thotë ai, shumë studentë të cilët nuk kanë arritur të pranohen në universitet publik, nuk kanë studiuar në private, vetëm për shkak të paragjykimeve se universitetet private nuk janë cilësore.
“Ka dallime. Kriteret në fakultetet publike janë më të forta sesa në ato private. Ky ka qenë paragjykimi kryesor”, thotë ai, duke shtuar se thuhej çdo herë se edhe përfundimi i fakultetit me sukses, është shumë më lehtë në universitetet private sesa në atë publik.
Marigona Mejzinolli, studente e Fakultetit Ekonomik, është e mendimit se universiteti publik ka shumë më shumë vlerë se sa ato private. Ajo ndër të tjera thotë se edhe punësimi është më i lehtë për studentët që studiojnë në universitet publik.
“Unë mendoj që është më mirë të studiosh në universitetin publik, sepse ka përparësi më shumë, si për punë, si në të gjitha anët, ndërsa ato private nuk të ofrojnë cilësi dhe nuk të përgatisin mirë për tregun e punës”, thotë Marigona.
Edhe Njomza Shala, mendon se punësimi është më i lehtë për studentët që studiojnë në publik, se sa për studentët në universitete private:
“Universiteti publik është më cilësor sesa privatët. Ka kritere më shumë. Edhe punësimi është më i lehtë për atë që studiojnë në fakultetet publike”.