Maqedoni: Zgjedhjet, test për pushtetin aktual

Shkup...

Partitë politike kanë nisur lëvizjet për zgjedhjet e rregullta presidenciale, që duhet të mbahen në muajin mars.

Ende nuk është zyrtarizuar asnjë kandidaturë, në pritje të shpalljes së datës për mbajtjen e tyre nga kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, por në opinion tashmë qarkullojnë emrat e kandidatëve të mundshëm për të zëvendësuar presidentin aktual Gjorgje Ivanov.

E veçanta e këtij cikli zgjedhor është nisma e BDI-së në pushtet, që drejtohet nga Ali Ahmeti, për një kandidat konsensual me ndonjërën nga partitë maqedonase, që i njëjti gëzojë edhe mbështetjen e shqiptarëve, pasi ata në vazhdimësi kanë kontestuar presidentët e shtetit edhe pse votat e tyre kanë qenë vendimtare për zgjedhjen e tij.

Kandidati konsenual pëlqehet dhe nga VMRO-ja e kryeministrit Nikolla Gruevski, por dy partitë tashmë janë në garë se cili kandidat të jetë i pranueshëm. Nga BDI-ja, nuk përjashtojnë mundësinë për mbështetjen edhe të një kandidati të opozitës maqedonase, nëse i njëjti do të ishte i pranueshëm për shqiptarët.

Edhe disa nga njohësit e çështjeve politike, thonë se me rëndësi është që presidenti të jetë i pranueshëm për të gjithë.

Bashkim Selmani, profesor në Universitetin Fon të Shkupit, thotë se në bazë të një hulumtimi të realizuar, shumica e shqiptarëve nuk kanë mbështetur asnjëherë presidentët, për shkak të siç thekson, qasjes jo të drejtë që kanë pasur ndaj shqiptareve, pavarësisht faktit se zgjedhje e tyre është bërë me votat e shqiptareve.

“Nga një hulumtim që kemi bërë rezulton se 82 për qind e shqiptarëve nuk janë të kënaqur me rolin e presidentit, para së gjithash për shkak të dobësive juridiko-politike të rolit të tij kur bëhet fjalë për barabarësinë mes qytetarëve në Maqedoni".

"Arsye tjetër është fakti se partitë shqiptare deri më tani nuk kanë mundur të arrijnë konsenus të përbashkët për të përcaktuar kriteret e zgjedhjes së presidentit që në rast të zgjedhjes së tij edhe me votat e shqiptarëve, të mos keqpërdoret më pas pozita e tyre juridike në shtet”, thotë Selmani.

“Ne mendojmë se presidenti i ardhshëm që duhet të zgjedhet, duhet të njoh gjuhën shqipe, ky duhet të jetë një nga kriteret pasi ai duhet të përfaqësoj të gjithë qytetarët, pastaj fushatën elektorale duhet ta bëjë në qytetet dhe fshatrat shqiptare, në kabinetin e tij të pakën 20 për qind e të punësuarve të jenë shqiptarë dhe prioritete tjera që parashihen me konventat ndërkombëtare mbi zgjedhjen e presidentit”, shprehet Selmani.

Megjithatë, ai thekson se këto kërkesa vështirë se do të realizohen për shkak të humbjes së peshës të votës së shqiptarëve pasi me ndryshimet e fundit në ligjin për zgjedhjen e presidentit, në rrethin e dytë të votimeve mjafton dalja në votime vetëm 40 për qind të elektoratit për të zgjedhur të parin e shtetit, që do të thotë se mosdalja eventuale e shqiptarëve nuk mund të dështojë procesin zgjedhor.

Nga ana tjetër, duke komentuar kalkulimet e partive se do të nxjerrin këtë apo atë kandidatë në zgjedhje apo nëse do të ketë ose jo një kandidat të përbashkët të partive në pushtet ose opozitës, Zdravko Savevski, analist dhe profesor i shkencave politike në Universitetin e Shkupit, thotë se këto zgjedhje më shumë do të jenë test për pushtetin aktual se sa zgjedhje presidenciale.

”Besoj se edhe kësaj radhe një përqindje e lartë e qytetarëve do të votojnë sipas vijave partiake se sa për kandidatin e tyre, kështu që këto zgjedhje faktikisht do të shndërrohen në test për qeverinë aktuale ”, thotë Savevski.

Në bazë autorizimeve kushtetuese, presidenti i Maqedonisë është edhe komandant suprem i forcave të armatosura, si dhe drejton këshillin e sigurisë kombëtare kurse mund të shpallë edhe gjendje lufte nëse këtë nuk mund ta bëjë Kuvendi.

Ai i jep autorizimin partisë fituese në zgjedhje që të formojë qeverinë si dhe cakton disa nga anëtarët e gjykatës kushtetuese, të këshillit gjyqësor republikan si dhe kreun e agjencisë së zbulimit.

Gjithashtu, presidenti ka kompetenca në politikën e jashtëm në dekretimin e ambasadorëve si dhe vendos marrëdhënie diplomatike me shtetet tjera.