Economist: Korrupsioni në Turqi

Protestues në Turqi

Kur Pranvera Arabe ka marrë flakë në Lindjen e Mesme, tre vjet më parë, demokratët optimistë, në kërkim të një modeli, kanë zgjedhur Turqinë si vend që duket se kombinon Islamin e moderuar me prosperitet dhe demokraci, shkruan gazeta "Economist".

Për fat të keq, arabët nuk e kanë ndjekur rrugën e Turqisë dhe, në vend të kësaj, Turqia ka nisur rrugën e vjetër arabe, të korrupsionit dhe autokracisë.

Në dy javët e kaluara, kujton gazeta, një prokuror turk ka arrestuar dhjetëra njerëz, në kuadër të hetimeve për transferime të paligjshme të arit dhe ryshfet, që dyshohet se është paguar nga industria e ndërtimit.

Të dyshuarit kanë përfshirë biznesmenë, të afërt me Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim, e cila mban pushtetin, si dhe zyrtarë, politikanë dhe djemtë e tre ministrave të kabinetit. Kryeministri Recep Tayyip Erdogan ka reaguar me tërbim ndaj raporteve se njëri nga djemtë e tij është në radhë.

Ai ka riorganizuar qeverinë, për të vënë besnikët në vend, dhe ka kërkuar të ketë kontroll në hetimet e policisë.

Për Turqinë, kjo është dëshpëruese, shkruan "Economist". Erdogan, në pushtet për gati 11 vjet, ngatërron fatin e tij me fatin e vendit. Gatishmëria e tij për të përdorur taktika në polici dhe gjyqësi dobëson sundimin e ligjit. Refuzimi i tij për të toleruar ndonjë kontroll të pushtetit të tij mbyt demokracinë.

Për keqardhje është sepse deri në kohët e fundit, Erdogan është parë si udhëheqësi më i madh i vendit që nga koha e Ataturkut, themeluesit të republikës moderne. Derisa ka qenë në pushtet, bruto prodhimi i brendshëm për kokë banori është dyfishuar apo edhe më tepër. Turqia është modernizuar dhe reformuar mjaft për të fituar bisedimet me Bashkimin Evropian, të cilat ky vend i ka kërkuar për 40 vjet.

Por, tani, Erdogan është i rrethuar nga fatkeqësitë, shkruan "Economist".

Ekonomia, e cila ka parë rënie pas vitit 2011, varet nga hyrja e kapitalit të huaj.
Vështirësia e dytë qëndron në një pakt që i ka mundësuar Erdoganit të marrë ushtrinë dhe të fitojë.

Gjykatat kanë dënuar disa qindra oficerë dhe mbështetës të tyre civilë, falë pjesërisht një grupi të fshehtë islamik, të udhëhequr nga Fethullah Gulen, një klerik që jeton në mërgim në Pensilvani dhe ka shumë mbështetës në polici dhe gjyqësi. Edhe pse Gulen e mohon, shumë besojnë se hetimet për korrupsion kanë nisur pas një urdhri të tij për t’u konfrontuar me Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim dhe me liderin e saj.

Por, kjo nuk e shkarkon Erdoganin që është problemi i tij i tretë. Nëse partia e tij është e korruptuar, nuk thyen vetëm ligjin, por tradhton edhe mbështetësit e saj të devotshëm, që presin nga ajo të jetë më e mirë se qeveritë laike të Turqisë. Ai nuk mund të vrasë hetimet për korrupsionin, duke vendosur patkonj me maja në polici dhe gjyqësi, shkruan "Economist".

Sipas gazetës, turqit duhet të shqetësohen sepse policia dhe gjykatat e tyre mund të shndërrohen kundër grupeve të veçanta, kur u shkon për shtat atyre në pushtet. Ideja se Guelenistët kanë qëndruar mbi rastet e korrupsionit, derisa Partia për Drejtësi dhe Zhvillim ka qenë aleat i tyre, vetëm për ta sulmuar atë tani, ngre dyshimet se besnikëria e disa zyrtarëve nuk është ndaj Kushtetutës, por ndaj dikujt tjetër – sipas të gjitha gjasave, ndaj Gulenit.

Sistemi ligjor është i vetmi kontroll mbi pushtetin e Erdoganit. Opozita e Turqisë është e dobët dhe e udhëhequr dobët. Gazetarët kritikë arrestohen dhe ata jokritikë censurojnë veten e tyre. Erdogan dominon partinë e tij.

Ndikimi i Gulenistëve është i pashëndetshëm dhe Turqia ka nevojë që rendi dhe ligji i saj të jetë i paanshëm. Por, do të ishte më keq nëse Erdogan dominon policinë dhe gjykatat, siç dominon çdo gjë tjetër.

Erdogan do që të bëhet president i Turqisë në zgjedhjet që do të mbahen këtë vit. Por, nëse nuk ndryshon, Turqisë do t’i bënte mirë një fillim i ri, shkruan "Economist".

Përgatiti: Valona Tela