Gjykatat shkelin Ligjin për kontrollin e duhanit

Ilustrim

Nga data 22 maj e këtij viti, Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi. Vullneti i qytetarëve për ta zbatuar ligjin nuk ka munguar, kanë deklaruar inspektorë dhe monitorues të këtij ligji.

Por, së fundmi, gjatë monitorimit nga Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Avokim, del se shkelësit më të mëdhenj të ligjit janë gjykatat e Kosovës.

Arben Lila, drejtues i Qendrës Kosovare për Zhvillim dhe Avokim( KADC), organizatë kjo që merret me monitorimin e Ligjit për kontrollin e duhanit, ka bërë të ditur se edhe pse misioni i gjykatave në Kosovë është që të sigurojë sundimin efektiv të ligjit, monitorimi i tyre ka treguar se tymosja e duhanit në ndërtesat e gjykatave nuk është kudo e ndaluar plotësisht.

Sipas Lilës, vetë gjyqtarët dhe personeli i gjykatave tymosin duhan në zyrat e tyre, duke demonstruar në mënyrë të qartë mungesën e sundimit të ligjit në hapësirat e gjykatës.

“Monitorimi ka treguar që respektimi i Ligjit në gjykata është i pjesshëm. Pavarësisht faktit që shenjat për ndalimin e pirjes së duhanit janë vendosura në të gjitha gjykatat, nga vizitat është konstatuar se në 9 raste ligji është shkelur nga personeli administrativ dhe nga vetë gjyqtarët”.

“Edhe pse pjesa më e madhe e personelit të gjykatave është jo duhanpirëse, hulumtimi ka treguar që nuk janë të informuar për mundësinë e njoftimit falas në numrin publik kur u shkelet e drejta e tyre për një ambient të punës pa tym duhani. Atyre u pengon pirja e duhanit nga të tjerët dhe kolegët e tyre në vendin e punës”, ka bërë të ditur Lila.

Derisa Enver Peci, kryesues i këshillit gjyqësor të Kosovës, ka deklaruar se në kuptimin e përgjithshëm, ky ligj respektohet, derisa nuk e mohon faktin se ka shkelje të ligjit në gjykatat e Kosovës. Ai ka thënë se është nënshkruar memorandum mirëkuptimi me KADC-në, që t’i njoftojmë gjykatat që të respektohet Ligji për kontrollin e duhanit.

Qëllimi i nënshkrimit, sipas Enver Pecit, ka pasur për qëllim që vetë gjykatat që janë zbatuese të ligjit, të jenë si model për institucionet tjera për respektim të ligjit.

“Në Gjyqësor janë afër 2 mijë të punësuar dhe e kemi ditur që do të ketë hezitim për respektim të ligjit, sepse një shprehi që është mbjellë prej kohësh, është pak e vështirë të çrrënjoset. Kam qenë i bindur që nuk do të respektohet 100 për qind, por motoja e memorandumit ka qenë se fillimisht do të njoftohen, më pastaj për t’u marrë masa kundër atyre që e shkelin ligjin”, është shprehur Enver Peci.

Edhe Florina Berisha, monitoruese në KADC, ka pohuar se në gjykata shkelet Ligji për kontrollin e duhanit:

“Ndoshta si shembull të keq e kisha marrë Gjykatën Themelore, degën për Kundërvajtje në Prishtinë, ku ne disa herë kemi vërejtur shkelje të Ligjit për kontrollin e duhanit. Ndoshta më e keqja është se që nga recepsionisti poshtë, e deri te zyrtarët lart, shkelet ligji dhe tymoset duhan”.

“Derisa në qytete tjera ekziston respektim më i madh. Ka ndodhur kur edhe nuk na kanë lejuar monitorimin, duke thënë se janë të zënë gjyqtarët, si dhe duke thënë se nuk e kanë marrë memorandum mirëkuptimin që e ka Këshilli gjyqësor i Kosovës me KADC –në. Megjithatë, mund të them se në qytetet tjera respektohet më shumë ky ligj krahasuar me Prishtinën”,
ka pohuar Berisha.

E, Ibrahim Tërshnjaku, inspektor sanitar, ka thënë se edhe pse ky ligj ka qenë mjaft sfidues, sipas tij, respektimi ka qenë në nivel në fillim, derisa së fundmi, siç ëshët shprehur ai, inspektorët kanë vërejtur shkelje të ligjit.

“Për këtë vit zbatimi ka qenë në subjekte afariste hoteliere, edhe pse ka qenë një ndër ligjet më sfiduese me zbatim shumë të mirë. Së fundmi kemi disa deformime të këtij ligji, por inspektorët janë në terren”, ka theksuar Tërshnjaku.