Policia shpërndan protestuesit në Stamboll

Protesta në Turqi

Forcat policore turke kanë përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve që marshonin në Stamboll të dielën, kundër planit urbanistik të qeverisë dhe hetimeve për korrupsion, të cilat çuan prapa grilave djemtë e ministrave dhe dhjetëra persona të tjerë.

Qindra protestues ishin mbledhur në sheshin e qarkut Kadikoy të Stambollit, me pankarta në duar që thirrnin kryeministrin Recep Tayyip Erdogan të japë dorëheqje, raporton agjencia turke e lajmeve, Dogan.

Erdogan ka dënuar hetimet anti-korrupsion që po bën policia, duke e quajtur punën e tyre si “aleancë me të keqen”, dhe është zotuar se do t’i ekspozojë të gjithë personat e përfshirë në këtë operacion, që ai e quan si të montuar nga perëndimorët.

Në shenjë të përgjigjes së tij, Erdogan tashmë ka shkarkuar dhjetëra shefa të policisë nga detyrat.

Ndërsa vetëm sot, autoritetet turke kanë larguar nga puna edhe 25 shefa të tjerë të policisë, njoftojnë mediet lokale, duke e përshkruar këtë veprim si një përpjekje për t’iu hakmarrë forcës për nisjen e një hetimi të gjerë të korrupsionit ku përfshihen ministra të qeverisë.

Njëzetekatër persona qenë arrestuar formalisht si pjesë të këtij hetimi anti-korrupsion që nisi këtë javë, përfshirë edhe djemtë e dy ministrave të kabinetit, dhe kryeshefin ekzekutiv të Halkbank, që është në pronësi të shtetit.

Rreth 70 oficerë të policisë, përfshirë edhe drejtorin e fuqishëm të policisë në Stamboll , janë përjashtuar nga puna, ose u janë ndërruar pozitat komanduese.(f.a)