Kosova me mungesë logopedësh

Ilustrim

Kosova ka 10 logopedë. Kërkesat për ta janë shumë më të mëdha, por Kosova nuk ofron mundësi që të formojë kuadro të reja.

Këtë e thotë Ardita Devolli, logopede, e cila ka studiuar për logopedi në Zagreb të Kroacisë.

Sipas statistikave që posedon shoqata e logopedëve të Kosovës, rreth 20 për qind e fëmijëve të cilët janë të kyçur në sistemin arsimor, kanë nevojë për logopedë.

Ndërkaq probleme në të folur dhe lexim, janë rreth 15 për qind e fëmijëve në vend. Prej tyre 7 për qind janë të lindur me probleme të tilla.

Zonja Devolli jep hollësi të tjera.

"Në Kosovë janë vetëm 10 logopedë e që të gjithë kanë diplomuar në Beograd e Zagreb kryesisht. Në Kosovë nuk ka vend ku mund të kryesh logopedinë. Vitin e kaluar është hapur në një institucion privat dhe ne kemi ligjëruar për logopedi, por ne jemi tërhequr sepse nuk i ka përmbushur kushtet e nevojshme për mbarëvajtjen andaj jemi tërhequr gjithë logopedët ligjërues. Prej 10 logopedëve jemi 2 doktor shkence. Në kuadër të shtetit të Kosovës nuk ka pasur asnjëherë", thotë Devolli.

Qendra Universitare e Kosovës ofron shërbime logopedike. Aty punojnë rreth 3 logopedë, që u ndihmojnë njerëzve që kanë nevojë për këto shërbime.

Por kushtet që mbretërojnë aty, e që kjo degë funksionon në kuadër të Otorinolaringologjisë nuk janë të lakmueshme, thotë vetë zyrtari për informim në këtë institucion, Shpend Fazliu.

"Shërbimi i logopedisë me defektologji funksionon në kuadër të ORL dhe ka hapësirë të mjaftueshme për zhvillimin e saj. Ndoshta nuk i kanë mjetet adekuate dhe hapësirat për të funksionuar normalisht , por në të ardhmen do t'i kemi parasysh kërkesat për shërbimet në logopedi dhe kërkesat që do t'i kenë do të sigurohen".

"Aktualisht puna është duke vazhduar dhe nuk ka ngecje, fëmijët trajtohen, ndoshta jo me të gjitha metodat bashkëkohore dhe kushtet, por asnjë fëmijë nuk ka mbetur pa trajtim që ka nevojë për defektolog ose logoped. Interesimi për logoped është shumë i madh, pasi që është qendra e vetme referente në Kosovë, me 2 milionë banorë, dhe nevojat janë të mëdha", thotë Fazliu.

Kryetarja e shoqatës së logopedëve të Kosovës, Luljeta Kabashi, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se rreth 10 logopedë sa ka Kosova, pothuajse të gjithë janë të koncentruar në Prishtinë, dhe qytetet tjera të Kosovës kanë mungesë evidentë të logopedëve.

"Nevoja për kuadrin logopedik në Kosovë është shumë e madhe pasi që mungesa e tyre është evidente, sidomos në qytetet e mëdha përpos Prishtinës, pasi që pothuajse të gjithë janë të koncentruar në kryeqytet. Ne kemi bërë kërkesë për shkollimin e logopedëve të rinj, por kërkesat tona aktualisht nuk janë marrë parasysh", u shpreh Kabashi.

Zonja Kabashi gjithashtu jep hollësi rreth asaj se sa është i nevojshëm shkollimi i logopedëve të rinj.

"Nevoja për punësimin e logopedëve është në sektorin shëndetësor dhe arsimor. Por për t'i punësuar ata duhet të shkollohen e që është nevojë imediate. Logopedët duhet t'i shkollojë Ministria e Arsimit dhe t'i punësojë Ministria e Shëndetësisë, si dhe t'i përmirësojë kushtet në sektorin e logopedisë. Ata do t'i ndihmonin fëmijët e njëkohësisht edhe mësimdhënësve".

"Sa i përket fëmijëve, janë rreth 20 për qind që kanë nevojë për intervenimin e logopedit. Fëmijët në sistemin parashkollor gjithashtu, sepse janë në fazën e zhvillimit të të folurit, në mënyrë që të mos ketë nevojë të trajtohen por të parandalohen"
, tha Kabashi.

Ndërkohë edhe zonja Devolli, e cila për një kohë ka punuar në Qendrën Klinike Universitare si logopede, thotë se e ka ndërprerë punën aty, për shkak të kushteve jo adekuate dhe shumë të vështira për ta kryer punën e saj.

"Nevojat janë shumë të mëdha. Llogaritet që një numër shumë i madh i njerëzve kanë pengesa në të folur, kjo nuk mjafton as për territorin e Prishtinës, e jo për krejt Kosovën. Kushtet në Qendrën Klinike, përkatësisht në bodrumin e klinikës së ORL-së, ku është një zyre për logopedi, janë kushtet e tmerrshme, dhe aty nuk punohet. Unë kam punuar disa vjet prej dëshirës së madhe për t'i ndihmuar fëmijët në nevojë. Por në atë vend punon shtëpiaku, aty bëhet pranimi i gjithë pacientëve, si dhe aty lahen rrobat e pacientëve të të gjitha klinikave. Aty nuk ka kushte për logopedi", tha Devolli.

Sidoqoftë fjala logopedi përbëhet prej dy fjalësh me prejardhje nga greqishtja dhe ato janë:logos-fjalë dhe paidei-edukim që do të thotë edukim i fjalës ose i të folurit.

Logopedia konsiderohet si një ndër shkencat më të vjetra dhe zanafillën e ka prej kur është krijuar edhe të folurit.