Harta politike pas zgjedhjeve lokale

Your browser doesn’t support HTML5

Vetëvendosje feston fitoren në Prishtinë

Zgjedhjet lokale në Kosovë kanë krijuar një hartë të re politike, nëse merren parasysh fitoret e kandidatëve për kryetar në secilën komunë veç e veç. Përmbysjet më të mëdha kanë ndodhur në Prishtinë, Gjakovë, Ferizaj, Mitrovicë të jugut, Pejë, Gjilan, Lipjan e Malishevë.

Partia Demokratike e Kosovës, me kandidatët e saj për kryetar, ka fituar në 10 Komuna. PDK ka arritur të ruaj udhëheqjen në Prizren, Skenderaj, Rahovec, Drenas, Klinë, Kamenicë, Vushtrri, Kaçanik, Dragash dhe Shtime. Megjithatë, PDK humbi edhe në qytete të mëdha dhe të rëndësishme si në Mitrovicën e Jugut, në Lipjan, në Malishevë, në Ferizaj dhe Gjilan.

Lidhja Demokratike e Kosovës, pas 14 vjet ka humbur Prishtinën, kryeqytetin dhe qytetin me numrin më të madh të votuesve. Ndërkaq në nivel të vendit, LDK ka shënuar një rikthim dhe ka fituar në 9 komuna. Kështu, LDK do të ketë sërish nën udhëheqje, Gjilanin, ka kthyer Pejën, ka ruajtur primatin në Istog, në Podujevë, Fushë Kosovë, Suharekë, Viti, si dhe ka rimarrë Lipjanin e Ferizajn.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në nivel vendi ka marrë mjaftë shumë vota, por ka humbur dy qytete të rëndësishme, Pejën dhe Gjakovën në rajonin e Dukagjinit. AAK ka arritur të fitojë në 3 komuna, në Deçan, Junik dhe Obiliq.

Aleanca Kosova e Re më në fund ka arritur të marrë nën udhëheqje 2 komuna shumë të rëndësishme, Gjakovën dhe Mitrovicën e jugut.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje, arriti të fitojë në Prishtinë me kandidatin e saj, Shpend Ahmeti, ndërkohë që nuk mori ndonjë përkrahje në qytetet tjera.

Iniciativa Qytetare Serbe e njohur edhe si “lista srpska” e sponsorizuar nga Beogradi, ka arritur që të merr pushtetin në 9 komuna të Kosovës. Shtrirja e këtij subjekti politik fillon nga Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani, Mitrovica e veriut, Graçanica, Novobërda, Kllokoti, Parteshi e Ranillugu.

Një komunë me shumicë serbe ka fituar Partia Liberale Serbe, përkatësisht në Shtërpcë.

Iniciativa Qytetare për Malishevë, ka arritur t’ia marrë nga duart qeverisjen PDK-së, për mandatin e ardhshëm në Malishevë.

Kurse një kandidat i pavarur, Refki Suma, ka arritur të rikonfirmojë pushtetin e tij në Han të Elezit.

Edhe KDTP, nga komuniteti turk ka konfirmuar fitoren në Mamushë.

Ndërkohë, nëse merren parasysh përqindjet në nivel të vendit sipas votave që kanë marrë subjektet politike për asambletë komunale, del se PDK-ja është e parë, e pasuar nga LDK-ja, dhe më pas vijnë AAK, Vetëvendosje dhe AKR-ja.

Përmbysje në disa komuna

Zgjedhjet lokale dhe balotazhi i zhvilluar për zgjedhjen e kryetarëve në 25 komuna të Kosovës, sipas rezultateve të deritashme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka sjellë disa përmbysje të rezultateve nëpër komuna.

Prishtinë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti ka arritur të mund kundër-kandidatin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Isa Mustafa. LDK-ja e ka pasur pushtetin vendor në Prishtinë që nga zgjedhjet e para lokale të vitit 2000.

Me afër 2 për qind të votave, Ahmeti ka arritur të marrë mandatin për të parin e Prishtinës, duke mposhtur kryetarin e deritashëm, Isa Mustafa.

Garë interesante është zhvilluar edhe në Gjakovë, ku Mimoza Kusari - Lila ka arritur fitore ndaj kryetarit të deritashëm nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Prizren, ndërkaq, kryetari Ramadan Muja nga Partia Demokratike e Kosovës ka arritur ta ruajë pushtetin, ndërsa në garë ishte kundrejt Eqrem Kryeziut të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Me kryetar të ri, është bërë edhe Peja. Atje Gazmend Muhaxheri i LDK-së ka fituar ndaj kryetarit të deritashëm Ali Berisha të AAK-së.

Edhe Gjilani, është bërë me kryetar të ri, ku në fakt, është rikthyer Lutfi Haziri i LDK-së, i cili ka mundur Qemajl Mustafën e PDK-së.

Edhe Mitrovica, ka zgjedhur kryetarin e ri.

Atje, Agim Bahtiri i AKR-së ka mundur Avni Kastratin e PDK-së, deri më tani kryetar.

Përmbysje ka ndodhur edhe në Ferizaj, ku ka fituar Muharrem Svarça i LDK-së ndaj kryetarit të deritashëm, Agim Aliut të PDK-së.

Mitrovicën e Veriut, fitoren e ka shpallur Kërstimir Pantiq nga Iniciativa Qytetare "Srpska".

Më poshtë, botojmë edhe rezultatet tjera për secilën komunë, duke prezantuar vetëm emrat e kryetarëve të zgjedhur sipas rezultateve preliminare:

Lipjan: Imri Ahmeti (LDK)

Malishevë: Ragip Begaj (IQM)

Rahovec: Idriz Vehapi (PDK)

Dragash: Selim Jenuzi (PDK)

Graçanicë: Branimir Stojanoviq (GIS)

Junik: Agron Kuçi (AAK-LDD)

Kamenicë: Begzad Sinani (PDK)

Klinë: Sokol Bashota (PDK)

Novobërdë: Svetislav Ivanoviq (GIS)

Obiliq: Xhafer Gashi (AAK-LDD)

Suharekë: Sali Asllanaj (LDK)

Viti: Sokol Haliti (LDK)

Vushtrri: Bajram Mulaku (PDK)

Partesh: Dragan Nikoliq (GIS)

Ranillugë: Gradimir Mikiq (GIS)

Shtërpcë: Bratislav Nikolliq (SLS)

Kllokot: Sreçko Spasiq (GIS)

Pa balotazh garën për kryetar komune e kanë fituar që në rrethin e parë të votimeve:

Deçan: Rasim Selmanaj , AAK- LDD.

Fushë Kosovë: Burim Berisha - LDK.

Glogovc: Nexhat Demaku, PDK

Han i Elezit: Refki Suma - kandidat i pavarur

Istog: Haki Rugova - LDK

Kaçanik: Besim Ilazi – PDK

Mamushë: Arif Bytyq – KTAP.

Podujevë: Agim Veliu – LDK.

Shtime: Naim Ismajli - PDK

Skënderaj: Sami Lushtaku – PDK.

Leposaviq: Dragan Jabllanoviq - GIS.

Zubin Potok: Stevan Vuloviq - GIS.

Zveçan: Vuçina Jankoviq - GIS.