A pritet një Revolucion i ri i Portokalltë në Ukrainë?

Ukrainë...

Ukraiana vazhdon të rimëkëmbet nga demonstratat masive që kanë mbërthyer kryeqytetin e saj të dielën, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të qeverisë për t’u tërhequr nga një marrëveshje e rëndësishme e tregtisë me Bashkimin Evropian.

Organizatorët kanë premtuar demonstrata të përditshme gjatë gjithë javës.

Protestat e së dielës, të cilat kanë mbledhur dhjetëra-mijëra njerëz, disa prej tyre duke ngritur tenda, kanë ngjallur kujtimet e Revolucionit të Portokalltë, i cili ka pasuar me formimin e qeverisë pro-perëndimore, nëntë vjet më parë.

Të udhëhequra nga Viktor Yushchenko dhe Yulia Tymoshenko, protestat e vitit 2004 kanë përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, të fituara nga Viktor Yanukovych, presidenti aktual.

Protestat kanë çuar në rivotime, të cilat janë fituar nga Yushchenko. Ky i fundit ka shërbyer si president deri më 2010, kur Yanukovych ka fituar presidencialet.

Përsëritja e Revolucionit të Portokalltë, megjithatë, duket e pamundur, thonë analsitët.

Natalya Lihachova është gazetare në Ukrainë.

Një Revolucion i Portokalltë është i pamundur tani. Nuk ka politikanë, për të cilët njerëzit janë të gatshëm të dalin në rrugë për ditë dhe javë. Udhëheqësit e vjetër nuk mund ta çojnë Ukrainën përpara. Përveç Vitaly Klitschkos dhe Yulia Tymoshenkos, e cila është në burg dhe druaj se nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në betejën politike për një kohë të gjatë, ka shumë pak liderë të ndershëm politikë në Ukrainë”, thotë Likhachyova.

Ndryshe nga Revolucioni i Portokalltë, protestat aktuale janë të ndara në dy tubime – njëri nga aktivistët jopartiakë të frymëzuar nga Lëvizja “Okupo” dhe i dyti nga partitë politike. Kjo ndarje nuk është e qartë nga pamjet në televizion.

Pjesëmarrja e partive politike ka frenuar shumë ukrainas që t’iu bashkohen protestave.

Mykola Tomenko, kryetar i Komisionit të Parlamentit për Liri të Shperehjes dhe një lider i Revolucionit të Portokalltë, kujton se si ukrainasit nga i gjithë vendi kanë bashkuar forcat nëntë vjet më parë për të larguar Yanukovychin, pas zgjedhjeve të manipuluara.

Protestat e sotme, thotë ai, vështirë se pasqyrojnë disponimin e përgjithshëm në Ukrainë.

“Protestat mund të vazhdojnë si protesta të forcave politike, të opozitës, por jo si protesta të shoqërisë. Dallim i madh me situatën aktuale është shtrirja më e ngushtë e protestave, niveli më i ulët i pjesëmarrjes së rajoneve dhe grupeve shoqërore”, thotë Tomenko.

Sondazhet e opinionit tregojnë se shumica e ukrainasve mbështesin integrimin në Bashkimin Evropian, edhe pse me një diferencë të vogël.(v.tela)