I jepet lamtumira e fundit Sokol Olldashit

Funerali para Kuvendit të Shqipërisë

Personalitetet të politikës shqiptare, si dhe mijëra qytetarë i kanë dhënë lamtumirën e fundit deputetit të Parlamentit të Shqipërisë nga radhët e Partisë Demokratike Sokol Olldashi, i cili humbi jetën në një aksident rrugor.

Homazhe kanë bërë personalitet më të larta të politikës shqiptare, si dhe përfaqësues të politikës kosovare. Sokol Olldashi humbi jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor

Mesazhin përcjellës për Sokol Olldashin, Sali Berisha e ka thënë i përlotur!

Kuvendi i Shqipërisë të enjten ka hapur dyert e mortit për deputetin Sokol Olldashin, 41 vjeçar, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksidenti rrugor.

Mijëra qytetarë dhe personalitetet më të larta të politikës shqiptare, si: presidenti i Republikës së shqipërisë, Bujar Nishani, kryetari I Kuvendit, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, ministra e deputetë kanë bërë homazhe pranë trupit të pajetë të deputetit Sokol Olldashi.

Të pranishëm ishin edhe personalitete politike nga Kosova, si zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka shpallur ditën e enjte ditë zie kombëtare, ndërsa Parlamenti shqiptar shtyu një seancë të planifikuar për sot.

Nën kujdesin e drejtpërdrejtë të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, është organizuar ceremonia e homazheve në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.

Fjalën përcjellëse e ka mbajtur kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili shprehu dhimbjen e thellë të miqve të tij, e kolegëve të çështjes që i bashkoi që në vitin 1990.

Më pas, trupi i pajetë i Sokol Olldashit është nisur drejt varrezave të Sharrës, i përcjellë mes lulesh e lotësh të mijëra qytetarëve duke i dhënë lamtumirën e fundit.


Sokol Olldashi humbi jetën të mërkurën në orën 21.20, të mbrëmjes, si pasojë e një aksidenti të rëndë.

Aksidenti ndodhi në zonën e quajtur “Lapidari” në aksin rrugor Tiranë – Elbasan.

Deputeti Olldashi udhëtonte me veturën e tij personale dhe e ngiste vetë atë. Shkak i aksidentit mendohet se ka qenë humbja e kontrollit të automjetit, si pasojë e motit të ligë me shira të rrëmbyeshëm dhe mospërshtatja e shpejtësisë.

Automjeti nuk ka mundur të hyjë në një kthesë të fortë, dhe ka rënë në një rrëpirë rreth 15 metra të thellë.

Ekipeve të shpëtimit iu është dashur rreth dy orë për të nxjerrë trupin nga automjeti i dëmtuar rëndë gjatë përplasjes.

Sokol Olldashi ka qenë ndër emrat më të spikatur e me peshë në Partinë Demokratike, i angazhuar që në vitin 1990.

Që nga viti 2001, Sokol Olldashi ka qenë deputet i Partisë Demokratike në Parlamentin shqiptar.

Në vitet 2005 – 2007, ai mbajti postin e Ministrit të Brendshëm, ndërsa nga viti 2009 e deri në vitin 2013, ai ishte ministër i Punëve Publike dhe Transportit.

Një prej zërave më me ndikim në Partinë Demokratike, ai garoi në korrik të këtij viti, për të parin e PD-së, pas dorëheqjes së Sali Berishës.

Sokol Olldashi ishte i martuar dhe ka lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë.