Medalja e Meritave Presidenciale për James Rubinin

Your browser doesn’t support HTML5

Presidentja Jahjaga dekoroi James Rubin me Medaljen Presidenciale të Meritave


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka dekoruar të enjten në Prishtinë ish-ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, James Rubin me Medaljen Presidenciale të Meritave.

Diplomati amerikan, sipas presidentes, ka qenë jashtëzakonisht i angazhuar gjatë periudhës së luftës që rezultoi me vendosjen e paqes dhe lirisë në Kosovë...

“Falë përpjekjeve dhe falë kontributit tuaj, që gjithmonë i keni dhënë në të gjitha kapacitetet tuaja, kjo është një pjesë e pandashme e historisë së Kosovës, ku të gjithë kosovarët i janë mirënjohës. Për këtë arsye, kam marr vendim që t’ju dekoroj me Medaljen Presidenciale të Meritave”, i tha mysafirit të saj presidentja Atifete Jahjaga, gjatë dekorimit në Prishtinë.

James Rubin ka qenë zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Në paraqitjet e tij në mbrojtje të ndërhyrjes ushtarake ndaj forcave serbe në Kosovë, Rubin mbetet një nga fytyrat më të njohura në opinion.

Presidentja Jahjaga tha se "ndihma e SHBA-së për Kosovën vazhdon të jetë jetike dhe mbështetja për proceset demokratike jo vetëm në Kosovë por edhe për gjithë rajonin e Evropës Juglindore është e nevojshme, sepse garanton paqen dhe stabilitetin".

Ish diplomati amerikan James Rubin tha se zhvillimet në Kosovë i përcjell që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta, ndërsa i kujtohen vuajtjet e popullatës për t’u shprehur lirshëm.

“E përcjell Kosovën që nga ditët e errëta të viteve si ai i 1991, 1993, 1995, 1998 kur edhe isha këtu, e deri më sot më 2013. Është një transformim që vërtet bota duhet ta vlerësojë; gjëra të mira mund të ndodhin, dhe Kosova është një shembull”, tha James Rubin.