Bastisen zyrat e gazetarit Milaim Zeka

Ilustrim

Policë të misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, kanë hyrë të enjten në zyrat e video-produksionit Mozaik, të gazetarit nga Kosova Milaim Zeka.

Zoti Zeka, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se hetuesit evropianë ia kanë shpjeguar se “po dyshohet për frikësim dëshmitarësh”, në ndërlidhje me rastin që tashmi njihet si “Grupit të Drenicës”.

“Po më thonë 6 vjet burg, pse kam zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur”, thotë Milaim Zeka.

Një prokuror ndërkombëtar ka ngritur aktakuzë kundër 15 ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të njohur si Grupi i Drenicës.

Në mesin e të dyshuarve janë shtatë ish-eprorët më të lartë të UÇK-së, ish-komandanti i shtabit të përgjithshëm Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Hysni Thaçi, Zeqir Demaku e Avni Zabeli.

Prokurori i EULEX-it Maurizio Salustro i ngarkon ata me dyshimin se kanë kryer krime të luftës kundër popullatës civile, përfshirë tortura, keqtrajtim të të burgosurve, dhe vrasje të cilat supozohen se janë kryer, gjatë periudhës së luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, në të ashtuquajturën qendër e paraburgimit të UÇK-së në Likoc të Drenicës.

Më 8 nëntor Salustro ka ngritur aktakuzën në Gjykatën Themelore të Mitrovicës kundër 15 të pandehurve.

Milaim Zeka ishte ftuar nga misioni evropian më 24 tetor për një bisedë informative në prokurorinë speciale të Kosovës, lidhur me një emisionin e tij “Pa Rrotla” të cilin e kishte transmetuar në televizionin publik më 22 nëntor.

Në emisionin e tij Zeka kishte zhvilluar intervistë me njërin prej dëshmitarëve të procesit kundër “Grupit të Drenicës”, të cilin e ka cilësuar si kyç gjatë emisionit.

Sipas portalit “Pa Rrotla” ky dëshmitar ka demantuar prokurorinë e UNMIK-ut dhe EULEX-it për të bëmat me të cilat pandehen 15 të akuzuarit.

Zëdhënësi i misionit evropian Anne Blanksma Ceta nuk ka mundur të flasë për dyshimet që prokuroria ka kundër gazetarit Milaim Zeka, kurse avokati i tij mbrojtës Gafurr Elshani bëri të ditur se bastisja ishte bërë sipas urdhrit të gjykatës themelore në Mitrovicë.

Gjykata shpreh dyshimet në këtë urdhër, sipas Elshanit se “Milaim Zeka është i dyshuar për pengim të tentativës së përvojës, frikësim dhe shkelje të privatësisë”. Ai tha se urdhëresa e gjykatës është vetëm për bastisje, e jo për arrestimin të klientit të tij.