“Ata duhet të zgjedhin atë që ata mendojnë se do të jetë më së miri në gjendje ta çojë komunën përpara”, thotë ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
RADIO EVROPA E LIRË
Zonja ambasadore, policia e Kosovës, si përgjegjësja e parë, nuk ka arritur të parandalojë incidentet në tri qendra të votimit në veri të Mitrovicës më 3 nëntor. Këto zgjedhje tani pritet të përsëriten të dielën. Zyrtarët në Prishtinë kanë thënë se nuk janë vetëm huliganët ata që duhet fajësuar për këto incidente, por edhe strukturat e Serbisë në Kosovë. Sipas jush, kush është përgjegjës për atë çfarë ka ndodhur më 3 nëntor?
TRACEY ANN JACOBSON
Ato incidente janë ende duke u hetuar nga të gjitha autoritetet përkatëse. Me aq sa kam njohuri, një person është arrestuar dhe ndaluar dhe jam e bindur se do të zbulohen edhe të tjerët dhe drejtësia do të vihet në vend.
Por, çështja e rëndësishme tani është se situata po ecën përpara. Dhe unë besoj se të dielën do të kemi një prani më rigoroze dhe më të dukshme të strukturave të sigurisë, qoftë të Policisë së Kosovës apo të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë.
Meqë po flasim për një numër të kufizuar të qendrave të votimit, disi kjo gjë do të jetë pak më e lehtë, por jam e bindur se mes tri institucioneve të sigurisë, pra Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, do të keët prani të mjaftueshme të forcave të sigurisë për të penguar keqtrajtimin e mundshëm, për të penguar sulmet sikur që ndodhën herën e kaluar dhe për të mundësuar një ambient në të cilin njerëzit ndihen rehat për të dalë dhe për të votuar. Është shumë e rëndësishme që ata të dalin dhe votojnë.
RADIO EVROPA E LIRË
Pra, këtë të diel duhet të ketë prani më të madhe të forcave të sigurisë për të parandaluar veprimet e tilla?
TRACEY ANN JACOBSON
Mendoj se kjo është pjesë e planit.
RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se popullata në veri të Mitrovicës do të bindet për të dalë dhe për të votuar në numër më të madh pas këtyre incidenteve dhe kërcënimeve që kanë pasur?
TRACEY ANN JACOBSON
Mua më ka dhënë shumë kurajë niveli i pjesëmarrjes në zgjedhje në tri komunat tjera në veri. Kjo vërtetë tregon se njerëzit janë të interesuar që të zgjedhin udhëheqësit e tyre dhe mendoj se kjo është veçanërisht e rëndësishme edhe për qytetarët në Mitrovicë. Ata do të duhej të dëshirojnë të zgjedhin atë që mendojnë se do të jetë më së miri në gjendje ta çojë komunën përpara dhe kësisoj t’u ndihet zëri për të ardhmen e qytetit të tyre.
RADIO EVROPA E LIRË
Por, janë këta ekstremistë në veri të cilët duket se nuk e dëgjojnë as Prishtinën, e as Beogradin. Kush duhet të komunikojë me ta për të pasur një situatë më të qetë?
TRACEY ANN JACOBSON
Mendoj se ka një sërë përpjekjesh që po ndërmerren në nivele të ndryshme për të krijuar një situatë më të qetë në aspektin e sigurisë. Ekstremistë do të ketë gjithmonë, por është e rëndësishme që të kemi një plan sigurie që ofron siguri për njerëzit, që ofron siguri për votuesit dhe zyrtarët në vendvotime. Dhe në këtë formë, me kohë edhe për t’iu shmangur mesazheve ekstremiste.
Ne vërtetë shpresojmë që pas këtyre zgjedhjeve do të shohim kryetarë komunash dhe kuvende komunale, të zgjedhur në mënyrë legjitime me të cilët mund të punojmë, me të cilët të tjerët mund të punojnë dhe të cilët do të jenë në gjendje t’i përmbushin nevojat e qytetarëve të tyre, qofshin ato për krijimin e vendeve të punës, qasje në ujë të pijshëm, menaxhimin e mbeturinave ose çështje të tjera që zgjidhen në nivel komunal.
Kur kam qenë në veri, kam parë nevojën e madhe që kjo pjesë ka për zhvillim të infrastrukturës, për investime. Presim me padurim të punojmë me kryetarët e zgjedhur në përpjekje për të mbështetur punën e tyre në këtë drejtim.
RADIO EVROPA E LIRË
A ka punuar mjaftueshëm Prishtina zyrtare për të fituar mbështetjen e popullatës që jeton në veri?
TRACEY ANN JACOBSON
Padyshim, qeveria në Prishtinë dhe ajo në Beograd, kanë ftuar vazhdimisht votuesit në veri të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje. Këto thirrje, me aq sa kam njohuri, do të vazhdojnë edhe në nivel të lartë të qeverisë në Serbi deri në ditën e votimeve, më 17 nëntor. Nuk dua të mendoj vetëm për 17 nëntorin, duhet të mendojmë edhe për balotazhin më 1 dhjetor.
Këto zgjedhje kanë sjellë rezultate të mira. E kuptoj që është e natyrshme të përqëndrohemi në tri qendrat e votimit që janë sulmuar, por nëse i shohim zgjedhjet në përgjithësi, është arritur një përparim i madh në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pastaj në aftësinë e policisë për t’i arrestuar ata që janë përfshirë në manipulime zgjedhore, në aftësinë e prokurorëve për t’i ndjekur këto raste.
Aktualisht, po zhvillohen 20 procese hetimore, në të cilat janë përfshirë 34 individë, nën dyshimet për manipulime.
Kur qytetarët e zakonshëm shohin këtë [përparim], ata kanë më shumë besim se vota e tyre do të numërohet, se vota e tyre nuk do të vidhet. Duhet mbajtur këtë dinamikë, ndërkohë që përgatitjet për raundin e dytë vazhdojnë, duke i bërë thirrje qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera që t’i parandalojnë manipulimet, për të mundësuar kësisoj një pjesëmarrje të madhe të votuesve më 1 dhjetor.
RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarët serbë shpesh deklarojnë se nëse serbët në veri bojkotojnë zgjedhjet, ka “rrezik” se një shqiptar do të mund të zgjidhet kryetar komune. Është kjo një thirrje legjitime apo motiv për t’i nxitur qytetarët që të dalin dhe të votojnë në zgjedhje?
TRACEY ANN JACOBSON
Shpresoj që një ditë Kosova do të bëhet një vend, në të cilin qytetarët do të mund të shprehnin vullnetin e tyre duke votuar për kandidatin që më së miri i përfaqëson interesat e tyre, i cili është më i miri për ta çuar komunën përpara dhe i cili i jep llogari popullatës lokale, së cilës duhet t’i shërbejë.
RADIO EVROPA E LIRË
A është “rrezik” për serbët në veri nëse një shqiptar zgjidhet?
TRACEY ANN JACOBSON
Kjo është pyetje e çuditshme për t’iu bërë një qytetari amerikan, sepse etnia për ne nuk është faktor. Por, megjithatë mendoj se njerëzit në veri duhet ta marrin vetë vendim se kush duan që t’i përfaqësojë.
RADIO EVROPA E LIRË
Sipas rezultateve preliminare, në jug, Nisma Qytetare “Srpska”, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, ka gjasa të udhëheqë disa komuna të banuara me shumicë serbe. A mund të jetë në rrezik funksionimi i këtyre komunave, duke marrë parasysh faktin se “Srpska” nuk e njeh Kosovën si shtet, nuk i njeh ligjet e saj dhe këto komuna të decentralizuara duhet të funksionojnë në përputhje me ligjet e Kosovës?
TRACEY ANN JACOBSON
Nuk dua të paragjykoj raundin e dytë të zgjedhjeve; mendoj se është herët të bëhet një gjë e tillë. Por, natyrisht, ne do të jemi të përgatitur të punojmë me këdo që del fitues në një proces demokratik, ashtu siç bashkëpunojmë me udhëheqësit komunalë në mbarë Kosovën. Dhe në fund, është e rëndësishme që zgjedhjet të mbahen në mënyrë të drejtë dhe të ndershme dhe që paraqesin vullnetin e qytetarëve.
Të mos harrojmë se këto zgjedhje janë të parat që mbahen në të gjithë territorin e Kosovës sipas ligjeve të Kosovës dhe unë mendoj se është një hap i rëndësishëm përpara.
RADIO EVROPA E LIRË
Cila është porosia juaj për votuesit në veri dhe për ata që dalin në raundin e dytë të zgjedhjeve?
TRACEY ANN JACOBSON
Mesazhi im për votuesit kudo është dilni dhe votoni, votoni personin që ju mendoni se është më i mirë për të udhëhequr, e jo personin që bën premtime më të bukura ose kërcënimet më të ndyta. Votoni njeriun që do ta udhëheqë komunën tuaj drejt një të ardhmeje më të ndritur.