Kultivim rekord i opiumit në Afganistan

Afganistan

Kombet e Bashkuara thonë se kultivimi i opiumit në Afganistan ka arritur nivele rekord këtë vit.

Në raportin vjetor për drogën në Afganistan, Zyra për Drogë dhe Krim e OKB-së thotë se të korrat në vitin 2013 kanë rezultuar me 5,500 tonelata opium, çfarë është 49 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Raporti po ashtu thekson se hapësira ku opiumi, përbërësi kryesor i heroinës, është kultivuar, është rritur për 36 për qind.

“Do ta cilësoja 2013-ën si vit në të cilin shohim rritje rekorde të kultivimit të opiumit në Afganistan - në rreth 290,000 hektarë tokë”, ka thënë përfaqësuesi në Afganistan i Zyrës së OKB-së për Drogë, Jean-Luc Lemahieu.

Opiumi në Afganistan kryesisht kultivohet në jug dhe në lindje të vendit, ku kryengritësit talibanë kanë më shumë ndikim.