Kosovë, Shqipëri: Mbledhja e përbashkët e qeverive në dhjetor

Pamje e një pjese të Prishtinës

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë tashmë janë dakorduar që të organizojnë mbledhje të përbashkëta të dy qeverive, thuhet në një njoftim të Qeverisë së Kosovës.

“Qëllimi i kësaj nisme është vendosja e një partneriteti strategjik më të strukturuar dhe të institucionalizuar në mes të dy shteteve tona”, thuhet mëtutje në njoftim.

Qeveria e Kosovës thekson se “mbledhja e parë e përbashkët e të dy qeverive do të shënonte simbolikisht fillimin e një epoke të re të bashkëpunimit, ajo assesi nuk do të duhej të bëhej cak sulmesh dhe interpretimesh elektorale, për më tepër që kalendari i mbledhjes së përbashkët ishte dakorduar para caktimit të datës së zgjedhjeve”.

Në fund të njoftimit theksohet se “duke dashur që me çdo kusht të ruajmë integritetin e bashkëpunimit në mes të dy shteteve dhe qeverive tona, sot kërkuam mirëkuptimin e Qeverisë së Shqipërisë, që mbledhja e parë të mbahet në fillim të muajit dhjetor”.