Marihuana në duart e adoleshentëve

Ilustrim

Fakti se në Kosovë shumë të rinj përdorin substanca narkotike, mbetet shqetësues.

Në studimet e bëra nga organizata ndërkombëtare dhe vendore, rreth përdorimit të substancave narkotike, del se të rinjtë nga mosha 16-vjeçare fillojnë të provojnë duhanin, alkoolin si dhe substanca narkotike, përfshirë edhe marihuanën.

Për përdorimin e substancave narkotike flasin vetë të rinjtë. Ata thonë se qasja deri te llojet e ndryshme të substancave narkotike është shumë e lehtë.

Për Blertën, 23- vjeçare nga Prishtina, përdorimi i substancave narkotike është tejet shqetësues, e sidomos fakti që ato përdoren edhe nëpër shkolla.

“Mendoj që droga është problem shumë shqetësues sot. Duke filluar nga fakti që edhe në shkolla nxënësit përdorin drogë, e mos të flasin për kafeteri, që janë të caktuara dhe të gjithë e dinë ku janë ato vende dhe dilerët që sillen lirshëm. Sidomos drogat e lehta mund t’i gjesh shumë lehtë dhe po përdoren shumë”, tregon Blerta.

Qeveria e Kosovës ka miratuar një strategji për periudhën kohore 2012-2017, në kuadër të drogave, luftimit të krimit të organizuar, terrorizmit, si dhe ruajtjes dhe kontrollit të kufirit shtetëror.

Sipas zyrtarëve të lartë qeveritarë, përmes kësaj strategjie, autoritetet vendore synojnë të reduktojnë përdorimin e drogave dhe dëmet që sjell me vete kjo dukuri.

Ndryshe, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjegjësisht në Klinikën e neuropsikiatrisë aty ku edhe trajtohen rastet që kërkojnë ndihmë, sipas neuropsikiatrit Shaban Mecinaj, fluksi i të rinjve të varur nga marihuana, është në rritje.

“Personat kryesisht adoleshentë, po përdorin marihuanë. Po vërehet një numër i shtuar i të rinjve që janë varur nga droga, që shpesh përcillet me çrregullime të tjera bashkërenduese psikiatrike dhe kërkojnë ndihmë në klinikë”.

“Përndryshe, është një frekuencë konstante në klinikën tonë, për ata që janë të varur në heroinë dhe metadon, por ka edhe persona që trajtohen nga alkooli”.

“Fatmirësisht, klinika e ka një repart të veçantë me kushte solide dhe ofrojmë ndihmë për këta pacientë. Ndërkaq me rëndësi është se ka një vit që kemi programin me metadon dhe është një kompletim i aspektit të trajtimit nga alkooli dhe droga”,
thotë Mecinaj.

Substanca narkotike më e re në treg, e quajtur GHB (Hydroxybutyric acid), po përdoret nga të rinjtë në masë të madhe.

Këtë e thotë një qytetare nga Prishtina, 22-vjeçare, derisa shpjegon disa karakteristika, të cilat kanë të bëjnë me këtë lloj substance:

“GHB, droga më e re që ka ardhur në Prishtinë, është drogë shumë e konsumuar prej të rinjve. Konsiderohet si drogë e rrezikshme. Përpos konsumuesit, ajo i bën dëm edhe shoqërisë meqë konsumuesi mund ta dhunojë, vjedhë, apo edhe rrezikojë në mënyra tjera personin e dytë. Njihet si drogë e dhunimeve. Dhe, është drogë shumë e përhapur, fatkeqësisht”.

Ndërkaq, autoritetet e rendit kanë pohuar janë duke luftuar trafikimin me narkotikë, por gjithashtu janë duke mbajtur edhe ligjërata në shkollat e mesme, për pasojat që sjell përdorimi i substancave narkotike, thotë Brahim Sadriu, zëdhënës në Policinë e Kosovës.

“Edhe gjatë këtij viti ka pasur një numër të madh aksionesh me qëllim kapjen e personave që merren me trafikimin e substancave narkotike. Kemi pasur shumë operacione ku janë konfiskuar një sasi e konsiderueshme e narkotikëve, dhe vlen të theksohet që operacionet e përbashkëta me policinë e rajonit e më gjerë, kanë rezultuar suksesshëm”.

“Jemi duke i kushtuar rëndësi edhe parandalimit të përdorimit të substancave narkotike ku po e zhvillojmë një program me drejtoritë e arsimit në të gjitha komunat sa i përket pasojave që sjell përdorimi i substancave narkotike. Dje është mbajtur një ligjëratë me nxënësit e shkollës së mesme dhe ky program po vazhdon”,
bën të ditur Sadriu.