Maqedoni: Bankat ashpërsojnë kiteret, qytetarët ankohen

Ilustrim

Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë, qytetarët e vendit, deri në shtator të këtij viti, kanë marrë hua nga bankat në formë kredie, në vlerë prej 1.47 miliardë eurosh.

Ndërkohë, qytetarët u kanë borxh bankave edhe 87 milionë euro, të marra si një ose dy rroga avans.

Derisa drejtuesit e bankave thonë se është në rritje numri i kredive të “këqija”, të cilat qytetarët nuk arrijnë t`i kthejnë, qytetarët ankohen se normat e interesit janë shumë të larta, madje të papërballueshme dhe kjo bën që kthimi huave të marra nga bankat, të jetë gjithnjë e më i vështirë.

“E fillon duke marrë një kartelë kreditore, pastaj vazhdon me të dytën për ta shlyer të parën dhe kështu vazhdon të zhytesh gjithnjë e më shumë në borxhe”, tregon një qytetar.

“Krizë është. Për shak të gjendjes së rëndë ekonomike është shumë e vështirë të mblidhen paratë për t’i çuar në bankë”, pohon një tjetër qytetar.

Nga ana tjetër, bankat theksojnë se për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike dhe rritjes së kredive jofunksionale, e edhe numrit gjithnjë e në rritje të klientëve që vonojnë kthimin e kredive, bankat sigurohen me kamata më të larta.

Kamatat mund të ulen vetëm për ata që paguajnë me kohë.

Kryetari i Shoqatës së Bankierëve në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë, Gjorgji Jançevski, konsideron se zgjatja e krizës më shumë se që ishte parashikuar, bën që bankat të jenë të kujdesshme.

“Puna e bankave ndonjëherë varet nga rrjedha e ekonomisë. Nëse zhvillimi ekonomik shënon trend negativ, nuk mund të presim rritje të kreditimit për 10 për qind. Pikërisht për shkak se gjithnjë e më shumë kemi kredi të ‘këqija’, jo funksionale, siç i quajmë, bankat janë më të kujdesshme kur bëhet fjalë për dhënien e kredive”, vlerëson Jançevski.

Sipas tij, vetëm nëse arrihet që zhvillimi ekonomik të shënojë trend pozitiv në një afat të caktuar, mund të pritet që edhe bankat të kenë më oferta më të mira për dhënien e kredive.

Problem më vete paraqet edhe fakti se akoma është i madh numri i qytetarëve, të cilët nuk u besojnë bankave.

Po nuk jam aq i sigurt t’i deponoj paratë në bankë, sepse bursa nuk është dhe aq stabile”, thotë një qytetar duke shprehur arsyet pse nuk dëshiron që kursimet t`i deponojë në bankë.

Ndryshe, guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thekson se gjatë vitit të fundit bankat më shumë janë të prira t’u japin hua qytetarëve, se sa kompanive private.

“Arsyeja kryesore është se numri i kredive të këqija është më i madh te firmat private, se sa nga ana e qytetarëve”, bën të ditur guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Dimitar Bogov.

Qytetarët e Maqedonisë më së shpeshti marrin hua nga bankat për blerjen e makinave ose shtëpive, derisa më pak për udhëtime ose shkollim.