Vuçiq: Erdogan duhet të kërkojë falje

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Deklarata e kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan, se “Kosova është Turqi dhe Turqia Kosovë” ka nxitur reagimin e autoriteteve serbe.

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë thirrje Erdoganit që urgjentisht të kërkojë falje.

“Konsideroj se kjo deklaratë është skandal i madh dhe i bëj thirrje Turqisë dhe kryeministrit të saj, Erdogan, të kërkojë falje publike. Kjo është një sjellje e papranueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe duhet të shohim se cilat do të jenë reagimet e shteteve të tjera”, ka thënë Vuçiq, raportojnë mediat serbe.

Të enjten ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Serbisë, duke thënë se “të gjithë në botë e dinë se Kosova është fjalë serbe dhe territor serb, madje edhe ata që kanë pranuar këtë kuazi-shtet”.

Erdogan e ka bërë deklaratën gjatë qëndrimit në Kosovë, me rastin e inaugurimit të terminalit të ri të Aeroportit të Prishtinës.