Francë: Vazhdojnë protestat për rastin e Leonardës

Protestat e sotme në Paris

Në Francë kanë hyrë në ditën e dytë protestat e nxënësve, në shenjë mospajtimi me mënyrën e ekstradimit të 15 vjeçares kosovare, Leonarda Dibrani.

Davidi, një nxënës i shkollës së mesme, i ka thënë sot agjencisë Reuters, se nxënësit francezë ndihen “të humbur”.

“Ne themi se vendi ynë është vend i të drejtave të njeriut, i cili i mirëpret njerëzit, dhe në të njejtën kohë ekstradojmë një 15 vjeçare, drejt një vendi të cilin ajo praktikisht nuk e njeh dhe ku nuk ka të ardhme”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Ministri i Arsimit, Vincent Peillon, duke folur sot në një intervistë për radion Europe 1, është shprehur se “... një gjë është e sigurtë: kur një fëmijë ndodhet në një ekskursion me klasën, siç ishte rasti i Leonardës, ai fëmijë është pjesë e jetës së shkollës, në të cilën askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë, që do të thotë se shkollat kanë një lloj statusi të shenjtë”.

Qeveria franceze ka premtuar se do ta hetojë detajisht rastin, dhe nëse vërtetohen shkelje, t’ia mundësojë familjes Dibrani kthimin e sërishëm në Francë.

Ekstradimi i Leonardës dhe familjes së saj për në Kosovë ka nxitur reagime dhe protesta të shumta, nga nxënësit, shoqëria civile si dhe nga vetë anëtarë të Partisë Socialiste, e cila ndodhet në pushtet.