Ndalesa e hyrjes në Kosovë vlen vetëm për kryeministrin serb

Ilustrim

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq mund të jetë ai që do të ketë telashe me hyrjet e tij në Kosovë gjatë kohës së fushatës për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Zyrtarët e qeverisë së Kosovës, pas shumë kontradiktave, janë duke e orientuar këtë ndalesë vetëm kah kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, duke e arsyetuar ndalesën me ndërhyrjet e kreut të qeverisë serbe në fushatë dhe mbështetjes bindëse që ai i jep listës unike serbe që garon për pushtetin lokal nëpër komunat me shumicë serbe.

Përmes rrjetit social, Tëitter, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ka shkruar se “ka një keqkuptim, pasi që ndalesa vlen vetëm për Daçiqin, dhe kaq”.

Po ashtu, edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi u ka thënë mediave lokale se nuk heq dorë nga deklarata e tij qe kryeministrit të Serbisë t'i refuzohen kërkesat për vizitë gjatë fushatës zgjedhore.

Një ndalesë e tillë, nuk do të vlejë edhe për zyrtarët tjerë serbë, kërkesat e të cilëve do të shqyrtoheshin individualisht.

Po në lidhje me këto paqartësi që i kanë krijuar deklaratat e ndryshme të ministrave të qeverisë së Kosovës, kabineti i Kryeministrit, përmes këshilltarit të parë, Bekim Çollaku ka sqaruar për Radion Evropa e Lirë se nuk ka një vendim në fuqi që ua ndalon zyrtarëve serb vizitat në Kosovë.

“Si duket është krijuar ndonjë keqkuptim i panevojshëm. Nuk ka ndonjë vendim të tillë në fuqi. Qeveria e Kosovës ka në fuqi procedurat për vizitat e zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Serbisë në Kosovë të cilat do të vazhdojnë të zbatohen edhe në të ardhmen”, ka thënë Bekim Çollaku për REL.

Të mërkurën, ishte zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri ajo që kishte konfirmuar se ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, kishte marrë vendim që zyrtarëve serbë t’iu ndalohet hyrja në Kosovë gjatë fushatës parazgjedhore.

“Dihet që fushata zhvillohet brenda një shteti dhe nuk ka nevojë që zyrtarët e një tjetër vendi të vijnë”, kishte deklaruar Tahiri.

Po në lidhje me “vendimin” për ndalesën e vizitave të zyrtarëve nga Serbia, mediat patën cituar edhe ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj të ketë thënë se “kjo nuk do të ndryshojë, pa marrë parasysh presionin që do të bëjë Serbia në Bruksel”.

Indiferent ndaj këtyre deklaratave nuk ka qëndruar as kryeministri Hashim Thaçi, por i cili nuk ishte shumë i drejtpërdrejtë. Thaçi, kishte lënë të nënkuptohet që vendimi (në këtë rast nga ministria e Drejtësisë) mund të ketë qenë individual.

“Ka qenë një vendim i përgjegjësive individuale, ne jemi të interesuar të ketë sukses në procesin zgjedhor...dhe procesi i ndërtimit të fqinjësisë së mirë mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka asnjë arsye që të dëmtohet ”, ka thënë Thaçi, gjatë një vizite në Gjilan.

Efektet e veprimeve jo të koordinuara të qeverisë së vendit, ishin hetuar edhe në takimet e grupeve punuese teknike në Bruksel. Atje për të enjten ishte paraparë të mbahej takimi për çështjen e lëvizjes se lirë.

Mirëpo ky takim ishte anuluar, për shkak të refuzimit të palës serbe që të merrte pjesë.

Ishte vetë presidenti serb Tomisllav Nikolliq ai i cili e vuri në dyshim vazhdimin e dialogut me Kosovën, në rast se Prishtina kishte vendosur t’ua ndalonte zyrtarëve të qeverisë serbe vizitat në Kosovë.

Kurse kryeministri serb, Ivica Daçiq, u ka thënë mediave serbe se ndalesa që ai të vizitojë Shtërpcën të premtën, do të ketë efekte edhe në dialogun e Brukselit.

Sidoqoftë, ai ka thënë se Beogradi do të dijë se si do të reagojë ndaj vendimit të Prishtinës.

Roli aktiv i Beogradit në zbatimin e marrëveshjes dhe inkurajimit të serbëve të Kosovës, sidomos atyre të komunave veriore, për pjesëmarrje në zgjedhjet e 3 nëntorit, ishte njohur edhe me planin e zbatimit të Marrëveshjes së 19 prillit.

Por, pakënaqësitë e Prishtinës zyrtare kishin të bënin me mesazhet politike që autoritetet serbe transmetonin, duke mbështetur vetëm listën unike, Iniciativa qytetare serbe.

Baronesha Catherine Ashton, ka ftuar kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiq që të zhvillojnë takimin e radhës më 7 tetor në Bruksel. Pas takimit të fundit, të dy kryeministrat ishin deklaruar se gjatë kohës së fushatës do të takohen vetëm nëse do të jetë e nevojshme.