Shkup: Diplomaci intensive para raportit të progresit

Ilustrim

Aktivitete të shumta diplomatike brenda, por edhe jashtë Maqedonisë, po zhvillohen në prag të shpalljes së raportit të progresit të Komisionit Evropian. Por, këto aktivitete po nxjerrin në sipërfaqe edhe qëndrimet e kundërta për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, si dhe mes vetë partnerëve të koalicionit qeveritar.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë dy ditëve të fundit ka realizuar takime të shumta në Bruksel, por edhe qendra tjera evropiane me zyrtarë të lartë, përfshirë edhe komisionarin për Zgjerim, Shtefan Fyle, me të cilët ka biseduar për mundësitë e ndërhyrjes së ndërkombëtarëve për zgjidhjen e këtij kontesti.

“Maqedonia gjendet para zgjedhjes midis rrugës të integrimit ose izolimit. Kryetari Ahmeti është ithtar i integrimit, si alternativa e vetme për Maqedoninë, që sjell stabilitet, paqe të qëndrueshme, siguri, marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, por edhe zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës“, thuhet në një komunikatë të publikuar të mërkurën nga BDI-ja, lidhur me takimet e Ahmetit në Bruksel.

Por, ndryshe nga partia shqiptare në Qeveri, partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO- DPMNE, vazhdon me vlerësimet se kontesti nuk do të mund të zgjidhet dhe se fajtor për këtë është pala greke.

Së fundi nga kjo parti kanë kërkuar ndërprerjen e bisedimeve, deri, siç ka deklaruar, ish-ministri i Jashtëm, Antonoi Milloshoski, njohjen dhe zbatimin nga ana e Greqisë të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Duke komentuar këto qëndrime të partnerëve të koalicionit, e në veçanti propozimin për ndërprerjen e bisedimeve, profesori universitar, Stevo Pendarovski, thekson:

“Kjo de facto nënkupton kërkesë për pranimin e vendit në dy organizatat ndërkombëtare, apo nisjen e bisedimeve me referencën apo emrin e përkohshëm IRJM, (ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë). Duke parë realitetin në skenën ndërkombëtare, unë mendoj se bëhet fjalë për një tentim amatoresk politik që të përfitohen pikë brenda vendit, pra si përpjekje që nuk do të sjellë asnjë efekt pasi vendim i GJND-së për Maqedoni u eliminua apo u zhbë që ditën kur u publikua”.

Ndërsa, sa i përket aktiviteteve të BDI-së, analisti Albert Musliu, thotë se ato më tepër kanë të bëjnë me zhbllokimin e procesit integrues, se sa me zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Maqedonisë, në këtë fazë të procesit euro-integrues, i kryen punë edhe zhbllokimi i procesit, e jo vetëm zgjidhja e çështjes së emrit. Nuk duhet të harrojmë se procesi integrues është zhvilluar normalisht deri në vitin 2008, pasi Greqia nuk na ka bllokuar as në marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe as në marrjen e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE”.

“Optimizmin dhe pesimizmin e shoh në këto dimensione: ka optimizëm se mund të zhbllokohet procesi që Greqia të mos e bllokojë marrjen e datës për fillimin e negociatave dhe, nga ana tjetër, kemi pesimizmin për mbylljen e çështjes. Kështu që vlerësoj se këto argumente apo këtë strategji të zhbllokimit të procesit, është duke e luajtur BDI-ja në ofensivën e saj diplomatike që ka ndërmarrë kohëve të fundit
“, thotë Musliu.

Ai shton se edhe në rast të zhbllokimit të këtij procesi, Greqia nuk do të ketë edhe mundësi të tjera, pasi dhënia e datës Maqedonisë për fillimin e bisedimeve, nuk është edhe fundi i procesit, pasi Athina do të ketë edhe shumë raste tjera për bllokimin e anëtarësimit të plotë të Maqedonisë në BE, nëse nuk zgjidhet çështja e emrit.

Por, ndryshe nga Musliu, mendon profesori i çështjeve ndërkombëtare, Stevo Pendarovski. Ai thotë se këto aktivitete të BDI-së, nuk do të kenë ndonjë epilog, për shkak se nuk janë të koordinuara në Qeveri.

“Me siguri se bëhet fjalë vetëm për informim të partnerit të koalicionit e assesi për koordinim të aktiviteteve. Pra, kemi qëndrime të kundërta ndërmjet partnerëve të koalicionit për një çështje shumë të rëndësishme. Ahmeti është i vetëdijshëm për qëndrimin e Gruevskit për këtë çështje dhe nuk përjashtoj mundësinë që aktivitet e tilla të jenë në funksion të zgjedhjeve eventuale të parakohshme, që Ahmeti të dalë para zgjedhësve dhe të thotë se tentoi të bëjë diçka, por të tjerët nuk e pranuan“, thekson Pendarovski.

Ndryshe, deri më 15 tetor kur do të publikohet raporti i progresit i Komisionit Evropian, në Maqedoni do të qëndrojnë delegacione të ndryshme të parlamentarëve evropianë, për, siç është thënë, inkurajimin e zgjidhjes së kontestit me Greqinë dhe afrimin e Maqedonisë drejt BE-së.