Këshilli i Sigurimit i OKB-së miraton rezolutën për Sirinë

Këshilli i Sigurimit (Fot nga arkivi)

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka votuar unanimisht në favor të rezolutës, e cila kërkon nga Siria që të eliminojë armët e saj kimike.

Dokumenti bën thirrje për pasoja nëse Siria nuk vepron në përputhje me të, por pasojat do të varen nga një tjetër rezolutë që mund të miratojë Këshilli.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se vota ka treguar se diplomacia është mjaft e fuqishme për të “çaktivizuar armët më të këqija të luftës”.

“Jemi këtu për të deklaruar së bashku, për herë të parë, se përdorimi i armëve kimike – për të cilat bota ka vendosur të jenë përtej caqeve të pranueshme të sjelljes njerëzore – është kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, pavarësisht se ku përdoren dhe në çfarë kohe përdoren. Si një bashkësi e kombeve, ne riafirmojmë përgjegjësinë tonë për të mbrojtur të pambrojturit, jetët në rrezik”, ka thënë Kerry.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se rezoluta e Kombeve të Bashkuara është fitore e madhe për bashkësinë ndërkombëtare dhe e ka cilësuar atë si ligjërisht të detyrueshme dhe të zbatueshme.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Këshilli i Sigurimit është i gatshëm të mbështesë masa ndëshkuese nëse dëshmohet se ndonjëra palë shkel kushtet e rezolutës.

Ambasadori i Sirisë në Kombet e Bashkuara, Bashar Ja’afari, ka thënë se Turqia, Arabia Saudite, Franca, Katari dhe Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë në përputhje me rezolutën dhe të mbahen përgjegjëse nëse vazhdojnë të ndihmojnë rebelët sirianë.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka mirëpritur angazhimin e Këshillit të Sigurimit për të shkatërruar stoqet e armëve kimike të Sirisë.

“Kjo është një ditë historike. Për shumë muaj kam thënë se konfirmimi i përdorimit të armëve kimike në Siri kërkon reagim të vendosur dhe të bashkuar”, është shprehur Ban.

Votimi në orët e para të së shtunës u ka dhënë fund javëve të diplomacisë midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është bazuar në një marrëveshje midis dy vendeve, për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Marrëveshja ka pasuar sulmin e 21 gushtit me agjent sarin në periferi të Damaskut, i cili ka vrarë qindra persona.

Përpara votimit në OKB, Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike ka miratuar vendimin për verifikim dhe shkatërrim të shpejtë të armëve kimike të Sirisë.

Ky vendim parasheh që inspektorët të dërgohen në Siri këtë të martë.(v.tela)