Libri që shpërfaq nënkulturat sekrete dhe botët e fshehura afgane

Shkrimtarja Nushin Arbabzadah

Të konvertuarit fshehurazi në krishterim, meshkuj që vishen si femra dhe blogerët homoseksualë zakonisht nuk kanë lidhje me Afganistanin. Por, ata janë pjesë e jetës reale, zakonisht të pavërejtshme të Afganistanit.

Kjo pjesë e panjohur e Afganistanit është tema e një libri të ri, “Pazari i thashethemeve afgane: nën-kulturat sekrete, botë të fshehura dhe përditshmëria e Absurdit”, e autores afgano-amerikane, Nushin Arbabzadah.

Ajo, një dijetare hulumtuese në Qendrën për Studime të Çështjeve të Grave në Universitetin e Kalifornisë, (UCLA) është e irrituar nga mbulimi rregullisht njëdimensional i Afganistanit nga mediat perëndimore. Libri i saj përpiqet që të shkojë përtej bombave dhe ferexheve për t’u ofruar lexuesve një perspektivë të re të shtetit që shumë besojnë gabimisht se e njohin.

“Unë jam shumë e interesuar për njerëzit jokonformist. Nuk jam e interesuar për faktet që tashmë dihen për Afganistanin. Jam fokusuar në personat e pazakonshëm në margjinat e shoqërisë dhe ata që nuk jetojnë konform standardeve kryesore të Afganistanit”, thotë autorja e librit.

Në mesin e personazheve të saj është edhe komuniteti nëntokësor i homoseksualëve. “Afganistani është një shoqëri heteroseksuale ku seksi përtej kufijve ligjorë të martesës, është krim që dënohet me burgim”, shkruan Arbabzadah duke shtuar:

“Mirëpo, përtej sipërfaqes së respektuar, ekziston një nëntokë e mjegullt e kaosit seksual”.

Për shkak se shoqëria e Afganistanit është një shumë konformiste që kërkon që të gjithë të jenë të njëjtë, njerëzit që janë ndryshe, bëjnë jetë sekrete. Komuniteti i homoseksualëve është njëri shembull. Ka afganë që nuk duan të martohen dhe të krijojnë familje në mënyrën se si kërkohen nga këndvështrimi kryesor i shoqërisë, thotë autorja e librit.

Një tjetër praktikë afgane që nuk e dinë shumica e të huajve është “bacha posh” që kur përkthehet i bie “i veshur si djalë”.

Kjo është një traditë e vjetër ku vajzat vishen si djem. Pasja fëmijë djem, është shenjë e prestigjit dhe respektit në Afganistan. Disa familje që nuk kanë djem, bëhen sikur vajza e tyre është djalë, edhe kur merret vesh gjinia e vërtetë e fëmijës.
Këto vajza i shkurtojnë flokët dhe marrin emra meshkujsh. Ato marrin të gjitha përgjegjësitë, por edhe liritë që i kanë meshkujt. Praktika vazhdon deri kur fëmija e arrin moshën e pubertetit, atëherë kur ajo duhet të kthehet në gjininë e vërtetë të saj.

“Duket e çuditshme, nëse jo e pabesueshme, që në një shoqëri që është e obsesionuar me ruajtjen në mënyrë strikte të roleve që duhet të kenë gjinitë, një lloj i transvestizmit është përhapur dhe madje është pranuar”, shkruan Arbabzadah.

Autorja ka lindur në Afganistan, por është larguar nga ky shtet pas pushtimit sovjetik në vitin 1979.

Komuniteti i meshkujve transeksual, gjithashtu, zë vend në librin e saj. Para shtatë vjetësh, një video ku shihet një polic duke e arrestuar një djalë që vishet si femër, u përhap me të madhe në Afganistan.

“Kur pamjet u shfaqën në televizion, ju mund të shihnit hutinë e oficerëve policorë. Kur video është transmetuar, titrat shkruanin, ‘një burrë i veshur si grua, por pse?’ Gratë janë të shtypura në Afganistan dhe askush nuk e kuptonte pse dikush dëshiron të jetë grua. Ju thjesht mund të shihnit se njerëzit nuk e kuptonin, edhe pse në çdo lagje ka individë të tillë”, thotë autorja.

Arbabzadah, ish-gazetare në BBC, gjithashtu shkruan për komunitetet fetare që rregullisht nuk zënë vend në media. Në mesin e tyre është komuniteti i atyre që konvertohen në të krishterë, grup ky çdo herë në rritje dhe i zëshëm.

Misionarët e krishterë e kanë hapur një kishë në Kabul në vitin 1970. Edhe pse kisha ishte shkatërruar disa vjet më pas, misionarët kanë inspiruar disa persona që janë konvertuar. Nga ajo kohë, kishat afgane janë përhapur në shumë vende, nga vendet skandinave e deri në Kaliforni të SHBA-së.

Sot komuniteti i margjinalizuar i krishterë i Afganistanit, e ka televizionin e vet në internet, por që në një shoqëri shumë konservative si Afganistani, ky grup përballet me vështirësi të mëdha.

Por, Arbabzadah thotë se gjërat kanë filluar të ndryshojnë pasi një grup i vogël, por në rritje i njerëzve kanë filluar t’i pranojnë ata që nuk iu përmbahen rregullave kryesore të shoqërisë.(a.haraqija)