Arrihet marrëveshja për armatimin kimik sirian

John Kerry (majtas) dhe Sergey Lavrov

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë pajtuar për propozimin që flet për eliminimin e armatimit kimik të Sirisë, ka njoftuar të shtunën sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, pas tri ditësh të negociatave me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Kerry ka thënë se në bazë të këtij pajtimi të arritur, Siria duhet të dorëzojë “një listë gjithëpërfshirëse” të stoqeve të armatimit kimik brenda një jave.

Kerry, gjatë një konference të përbashkët me Lavrovin, ka thënë se në bazë të marrëveshjes, inspektorët e OKB-së duhet të dalin në terren, në Siri jo më larg se nga muaji nëntor.

Qëllimi, sipas Kerrit është që të kompletohet shkatërrimi i armatimit kimik sirian deri nga mesi i vitit 2014.

Kerry dhe Lavrov kanë thënë nëse Siria nuk pajtohet me marrëveshjen, e cila duhet të finalizohet nga Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike, do të përballet me pasojat sipas kapitullit 7 të statutit të OKB-së, pjesa që mbulon sanksione dhe veprime ushtarake.

Megjithatë, Kerry ka thënë se nuk është arritur marrëveshje se cilat do të ishin saktësisht këto masa duke shtuar se, "presidenti Obama e ka të drejtën për të përdorur forcën ushtarake në Siri" .


“Nuk ka pakësim të opsioneve”, ka thënë ai.


Ndërkaq, ministri i jashtëm rus, Lavrov për marrëveshjen ka thënë se, “nuk është thënë asgjë për përdorimin e forcës dhe as për sanksione automatike”.


Megjithatë, kjo marrëveshje nuk konsiderohet si përfundimi i problemit të Sirisë, por vetëm "fillimi i rrugës" deri te zgjidhja.

Më herët, pas takimit në Gjenevë me të dërguarin e Kombeve të Bashkuara për krizën, Lakhdar Brahimi, Kerry dhe Lavrov thanë se do të takohen në Nju Jork këtë muaj, për t’u marrë vesh për datën e një konference ndërkombëtare për Sirinë.

Diskutimet e dy zyrtarëve, Kerry e Lavrov, janë rezultat i iniciativës ruse, sipas së cilës parashihej që Siria t'i dorëzojë të gjitha armët kimike nën kontrollin ndërkombëtar dhe në këtë mënyrë të shmangë kërcënimet për ndërhyrjen ushtarake nga ana e SHBA-së.

Kërcënimet për një aksion ushtarak nga ana e presidentit amerikan, Barack Obama, erdhën pas sulmit kimik të 21 gushtit në periferi të Damaskut, në të cilin Uashingtoni thotë se mbi 1,400 persona kanë humbur jetën.

Lidhur me sulmin kimik, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, ka thënë se raporti i OKB-së që pritet të publikohet javën që vjen, do të verifikojë “jashtëzakonisht” shumë se armët kimike janë përdorur në Siri, muajin e kaluar.

Ban, megjithatë nuk ka bërë ndonjë koment sa i përket asaj se kush i përdori armët kimike më 21 gusht, në zonën që mbahet nën kontroll nga rebelët, në periferi të Damaskut.

Përderisa Uashingtoni dhe disa nga aleatët e tij thonë se armët kimike i përdorën forcat e Bahsar al Assadit, ky i fundit i fajëson rebelët për sulmin, njëjtë siç bën edhe Rusia. (a.h)