The Atlantic: Tri mënyrat që Kosova nuk ka qenë si Siria

Siri...

Revista mujore “The Atlantic” i kundërshton përpjekjet për të gjetur ngjashmëri në mes të Kosovës me Sirinë, ashtu siç po mundohet administrata e presidentit amerikan, Barack Obama.

Kjo revistë e përmuajshme amerikane që nga fjalia e parë e ka hedhur poshtë këtë krahasim duke thënë se konflikti i Kosovës me atë në Siri janë “tërësisht të ndryshme”.

Revista nis me sqarimin që e kishte dhënë presidenti amerikan, Bill Clinton më 24 mars 1999 për sulmet ajrore kundër Serbisë duke thënë: “Duke i dhënë fund kësaj tragjedie është domosdoshmëri morale” dhe për të shtuar se “fëmijët tanë kanë nevojë dhe e meritojnë një Evropë në paqe, të lirë dhe stabile”.

“Brenda pak minutash, forcat e NATO-s kanë filluar ta sulmojnë Serbinë me bomba dhe raketa, fillimi i asaj që njihet sulmi më i madh ushtarak në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”, thuhet në revistën “The Atlantic”.

Revista më tutje kujton se shumë analistë vlerësojnë që heqja nga pushteti e Slobodan Millosheviqit në vitin 2000 është bërë si rezultat i sulmit ajror të NATO-s.

Këtë sukses sipas kësaj të përmuajshme amerikane po mundohet ta shfrytëzojë presidenti aktual amerikan, Barack Obama, për një intervenim të mundshëm në Siri.

“Derisa Obama dhe ekipi i tij lobojnë për përkrahjen e Kongresit për Sirinë, Jugosllavia shpesh përmendet nëpër biseda” shkruan “The Atlantic”, ndërsa ofron citate edhe të Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry duke e arsyetuar nevojën për intervenim në Siri duke e përmendur edhe Bosnjen.

Revista amerikane shkruan se sa i përket faktit që në Jugosllavi është intervenuar pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së krijon një lloj ngjashmërie ndërsa shton se në të dy rastet tashmë janë shkelur vijat e kuqe – në Siri janë përdorur armët kimike ndërsa në Kosovë “vija e kuqe” është shkelur me masakrën e Reçakut ku u vranë civilë shqiptarë më 1999.

Mirëpo për këtë të përmuajshme amerikane “kur shikohet situata në terren, atëherë përfundon edhe tërheqja e paraleleve”.

Sipas “The Atlantic” janë tre gjëra të mëdha në të cilat Kosova dhe Siria dallojnë.

1). Dallimi i parë, sipas kësaj reviste amerikane, është te shtetet të cilat e rrethojnë Kosovën dhe shtetet e rajonit ku gjendet Siria. “The Atlantic” e citon profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Georgetown të Washingtonit, Charles Kupchan i cili thotë: “Siria është e rrethuar nga shtete që edhe vet janë në pikën e jostabilitetit, pra është një ambient shumë i vështirë për fuqitë e jashtme që të përzihen”.

“Ndërsa “fqinjësia e mirë” e Kosovës sjell edhe dëshirën për anëtarësim në NATO dhe BE, që shtetet mund të aspirojnë atëherë kur e arrijnë një nivel të paqs dhe prosperitetit. Së bashku, këto organizata tashmë i kanë si anëtare disa shtete që kanë dal nga ish Jugosllavia”, shkruan “The Atlantic”.

2). “Në Kosovë nuk ka pasur realisht ndonjë xhihadistë. Një tjetër shqetësim është se nëse SHBA-të pa qëllim apo me qëllim i sjell rebelët në pushtet në Siri, ka mundësi që rebelët e “gabuar”, rebelët ekstremistë si Jabhat al Nusra do ta merrnin pushtetin pas konfliktit”, shkruan në “The Atlantic”, ndërsa vlerëson se ky shqetësim nuk ka ekzistuar në rastin e Kosovës pasi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk ka pasur një kontigjent të fuqishëm ekstremistë dhe se ata kanë qenë “partner i besueshëm në terren”.

Duke e cituar sërish profesorin e Universitetit të Georgetown, Kupchan vlerësohet se opozita aktuale në Siri sot është e ndarë, ndërsa ka pjesë të saj që janë të lidhura me ekstremistët të cilët pas një intervenimi të mundshëm amerikan do te kenë mundësi më të mëdha për të ardhur në pushtet.

Dallimi i tretë sipas “The Atlantic” është te përbërja etnike e të dyjave vendeve.

3). “Tensioni kryesor në Kosovë ka qenë në mes të serbëve dhe shqiptarëve të cilët e përbëjnë 90 % të popullatës”, shkruan revista amerikane dhe shton se “Siria është një kazan ku sunnitët, alawitet, kristianët, kurdët dhe grupe të tjera kanë interesat e tyre, ndërsa ka raste që shihen dallime shumë të mëdha mes tyre”.

“The Atlantic” shkruan se megjithëse të dy konfliktet janë raste të ndryshme, nuk do të thotë se nuk duhet intervenuar në Siri.

Derisa në Kosovë mandati ka qenë që jo vetëm të ndalohen vrasjet, por të largohen forcat serbe prej Kosovës dhe nëse Millosheviqi nuk pajtohej, NATO kërcënonte edhe me trupa tokësore.

“Në Siri, ajo që administrata e Obamës ka thënë e ka për qëllim që vetëm ta ndëshkojë Assadin për përdorimin e armëve kimike – bile nuk duan as largimin e tij prej pushtetit apo t’iu ndihmojë rebelëve që ta fitojnë luftën dhe sigurisht që të mos përdoren trupat tokësore”, thuhet në revistën e përmuajshme amerikane.

Kjo revistë vlerëson se të krahasosh të dy këto raste kur qëllimet janë kaq të ndryshme ka pak kuptim.

Profesori Charles Kupchan thotë se përpjekjet për të sjellë paqen në Siri është një detyrë shumë më e rëndë se sa sjellja e paqes në Kosovë, pasi largimi i forcave të serbe i ka dhënë fund “lojës”, ndërsa në Siri, “kush dreqin e di si të ndërtohet një shtet funksional që i jep fund dhunës?”

Përgatiti: Artan Haraqija