Kosova inkason fondet evropiane në pranverë

Ilustrim

Prishtina zyrtare pret që me marrjen e draftit të parë të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim në pranverë të vitit të ardhshëm, të përfitojë financiarisht nga programet evropiane.

Edhe pse formalisht negociatat për MSA pritet të nisin në tetor - sipas përllogaritjeve të qeverisë -ndihmat financiare që Kosova t’i përshtatë strukturat për t’i përmbushur standardet evropiane, shihen si të domosdoshme.

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj nuk preferon të flasë me shifra monetare se çfarë do të fitojë Kosova nga MSA-ja, sepse thotë të jetë vështirë e kualifikueshme.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se MSA-ja parimin e parë e ka që të krijojë një hapësirë të përbashkët ekonomike në mes të BE-së dhe shteteve që aspirojnë të bëhen pjesë e këtij unioni.

“Në praktikë, Kosova do të fitojë qasje në tregun e BE-së, qasje të palimituar, përveç në disa kategori që BE-ja do të tentojë t’i mbrojë, dhe prodhuesit tanë do të kenë qasje dhe do të mund të depërtojnë te tregu i BE-së si të ishte një treg vendor”, vlerëson ai.

Aspekt tjetër, sipas zëvendësministrit, është që standardet që aplikohen në Kosovë si rezultat i negocimit të MSA-së do të ndikojnë në ngritjen e cilësisë së operimit dhe të prodhimeve, konsumatorët do të ketë varietet të cilësisë së produkteve, kurse prodhuesit vendorë do të kenë lëndë të parë më të lirë, dhe do të kenë importe më të lira në procesin e tyre të prodhimit, e që do t’i bënë ata më të konkurueshëm.

Por jo vetëm kaq.

“Aspekti tjetër është që si pjesë e Stabilizim-Asociimit, Kosova hynë në marrëveshje kontraktuale me BE-në, e cila tutje parasheh edhe ndihma të ndryshme të përshtatjes strukturore të Kosovës që t’ia arrij standardet e BE-së, ku ne do të përfitojmë fonde, nga fonde të ndryshme të BE-së, që t’ia arrijmë këto standarde. Kjo është pjesa të cilën ne do të mund ta monitarizojmë më vonë, por për këtë duhet ta shohim fundin e procesit të negociatave”, Nikaj thotë për Radion Evropa e Lirë.

Mirëpo, shoqëria civile i sheh këto pritje të qeverisë si të pabaza.

Shpend Kursani, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, vlerëson se “milionat evropian” nuk do t’i vijnë Kosovës në këtë stadium të negocimit të anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian.

“Në qoftë se i shikoni me kujdes procedurat për anëtarësim në BE, që i kalojnë të gjitha shtetet, është statusi, marrja e statusit të kandidatit ajo që e kualifikon një shtet që të ketë qasje në fonde të ndryshme të BE-së, e nuk është përfundimi i negociatave për MSA. Kështu që nuk besoj që Kosova do të ketë tani qasje në ato miliona që gjoja se qeveria thotë se do të ketë qasje”, deklaron ai.

Kursani thotë se Kosova për shumë vjet me radhë ka qasje në fonde evropiane, përmes Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA) dhe se mesatarisht në vit ka marrë rreth 60 milionë euro nga BE-ja.

Për këtë qasje të qeverisë, hulumtuesi i lartë nga KIPRED thotë se fajin e ka edhe Brukseli, pasi sipas tij, i tërë procesi i anëtarësimit në BE është politizuar, ku dialogu me Serbinë është shndërruar në njësi matëse të arritjes së demokracisë në Kosovë.

“Do të thotë sa më e butë po qëndron Kosova karshi Serbisë, BE-ja po e vlerëson atë, do të thotë Kosovën, pa marr parasysh a po rritet niveli i demokracisë, a po rritet stabiliteti institucional. Sepse në qoftë se e shikojmë punën e parlamentit, si një institucion ku shihet funksionimi i demokracisë, atëherë Kosova nuk ka pasur një ecje përpara, në mos ecje prapa në punën e kuvendit, mënyrën si po kalojnë ligjet, mënyrën si po diskutohen ato".

"Kështu që më shumë BE-ja, nuk po e ka qasjen e sinqertë për Kosovën, sepse nuk po e vlerëson në bazë të përmbushjes së kritereve të mirëfillta, por po e vlerëson në bazë të asaj se sa mirë po sillet me Serbinë”, thotë Shpend Kursani për Radion Evropa e Lirë.

Qeveria e Kosovës pret që gjatë muajit shtator, ose në fillim të tetorit të pranoj draft-marrëveshjen e parë nga BE-ja për MSA.

Me këtë hap, do të nisin edhe zyrtarisht negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Kurse pas pranverës pritet të fillojë së zbatuari MSA-ja, i cili proces mund të zgjas deri në 10 vjet, bazuar në praktikën e vendeve të tjera të rajonit.