Në Prishtinë, pllakë përkujtimore për të pagjeturit

Ilustrim

Në Ditën Ndërkombëtarë të Personave të Pagjetur, në Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë është zbuluar një pllakë përkujtimore për të pagjeturit e luftës së fundit në Kosovë.

Autoritetet e vendit kanë kërkuar nga mekanizmat ndërkombëtarë që të ndihmojë zbardhjen e fatit të 1.727 personave të zhdukur.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se shoqëria kosovare ka për obligim të mendojë dhe të ndihmojnë në zbutjen e dhimbjeve që kanë familjarët e të pagjeturve.

“Kjo datë duhet të në shërbejë jo vetëm për t’i përkujtuar personat e pagjetur, por për t'u angazhuar si shoqëri që njerëzimit mos t’i ndodhin ngjarje të tilla të egra, të cilat synim dhe qëllim kanë ushtrimin e dhunës mbi njerëzit e pambrojtur”, ka thënë kryeparlamentari Krasniqi.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se në bisedimet me Beogradin vazhdimisht është shtruar çështja e të pagjeturve.

“Adresa e këtij problemi, por edhe zgjidhja është te Serbia”, ka theksuar Tahiri.

Në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore ishte edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson.

Kjo ditë po shënohet nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.