Britania kundër ndërhyrjes në Siri, SHBA e gatshme

Pamje nga Siria...

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, ka thënë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të bëjnë përpjekje për të krijuar një koalicion ndërkombëtar, në mbështetje të sulmeve të mundshme ushtarake ndaj caqeve të Qeverisë siriane.

Ai i ka bërë këto komente pasi Parlamenti i Britanisë ka votuar kundër pjesëmarrjes në çdo sulm.

“Qasja jonë është të vazhdojmë të kërkojmë një koalicion ndërkombëtar, i cili do të veprojë së bashku. Keni parë një numër të vendeve që kanë shfaqur publikisht qëndrimin e tyre ndaj përdorimit të armëve kimike. Ne do të vazhdojmë të konsultohemi me partnerët dhe miqtë tanë”, ka thënë Hagel.

Pas votimit në Parlamentin e Britanisë, Shtëpia e Bardhë ka thënë se administrata e presidentit Barack Obama është duke u përgatitur për mundësinë e ndërmarrjes së aksionit të njëanshëm ushtarak kundër regjimit sirian.

Në Londër, kundër propozimit kanë qenë 285 deputetë, ndërsa 272 të tjerë e kanë mbështetur.

Kryeministri David Cameron ka pranuar humbjen për qeverinë e tij, duke thënë se ishte e qartë që ligjvënësit kundërshtojnë ndërhyrjen ushtarake në Siri dhe se ai nuk do të shkelë vullnetin e parlamentit dhe të miratojë aksionin.

“Besoj fuqishëm në nevojën për përgjigje të ashpër ndaj përdorimit të armëve kimike. Por, po ashtu besoj në respektimin e vullnetit të Parlamentit. Është e qartë për mua se Parlamenti britanik, që reflekton pikëpamjet e popullit britanik, nuk do që të shohë aksione ushtarake. E kam kuptuar këtë dhe qeveria do të veprojë në përputhje me rrethanat”, ka thënë Cameron.

Ligjvënësit britanikë, që kanë kundërshtuar sulmet, kanë thënë se hetuesit e Kombeve të Bashkuara nuk kanë raportuar ende për provat e tyre rreth sulmit të dyshuar kimik dhe se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk ka votuar në mbështetje të asnjë aksioni të jashtëm ushtarak.

Masat e tilla në Këshill të Sigurimit i ka bllokuar Rusia, e cila është aleate e Qeverisë siriane.

Cameron ka mbështetur fuqishëm sulmet e mundshme kundër regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad, pas akuzave se forcat qeveritare kanë kryer një sulm me armë kimike, javën e kaluar, i cili ka lënë qindra civilë të vrarë.

Në një deklaratë të lëshuar pas votimit në Britani, Shtëpia e Bardhë ka lënë të kuptohet se sulmet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara janë ende të mundura, edhe pa përfshirjen e Britanisë.

Deklarata thotë se vendimet e presidentit Obama “do të udhëhiqen nga ajo që është në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara” dhe se “shtetet që shkelin normat ndërkombëtare, në lidhje me armët kimike, duhet të mbahen përgjegjëse”.

Luftanijet e Shteteve të Bashkuara, të armatosura me raketa, kanë lëvizur drejt Mesdheut lindor, në rast se jepet urdhër për sulme.

Franca po ashtu ka përgatitur forcat për sulme të mundshme.

Qeveria e Sirisë ka mohuar se ka kryer sulm me gaz toksik më 21 gusht, në zonën Ghouta, në lindje të Damaskut. Ajo ka akuzuar forcat kryengritëse për sulmin, duke thënë se ato bëjnë përpjekje për të nxitur ndërhyrjen e huaj ushtarake.

Në komentet e publikuara të enjten, presidenti sirian, Bashar al-Assad, ka thënë se Siria është e gatshme “për të mbrojtur veten kundër çdo agresioni”.

Një kongresist nga Partia Demokratike e Obamës u ka thënë gazetarëve se presidenti nuk ka marrë ende vendim për kohën apo shkallën e ndërhyrjes së mundshme ushtarake.

Megjithatë, përfaqësuesi nga Nju Jorku, Eliot Engel, ka thënë se zyrtarët e administratës nuk kanë “asnjë dyshim” se forcat e Assadit kanë përdorur armë kimike.

Engel ka thënë se zyrtarët kanë “përgjuar komunikime të autoriteteve të larta siriane” që tregojnë se forcat siriane kanë poziconuar armët para sulmit.(v.tela)