Opozita siriane: "Sulmi kimik" vrau 1300 njerëz, reagon BE-ja

Your browser doesn’t support HTML5

Pasojat e sulmit të dyshuar kimik në Siri (Kujdes:Video përmban pamje shqetësuese)

Grupi kryesor opozitar sirian ka thënë se forcat qeveritare kanë vrarë rreth 1300 njerëz në sulmin me armë kimike në periferi të Damaskut.

Koalicioni Kombëtar Sirian në një konferencë me gazetarë në Stamboll, të mërkurën ka thënë se sulmi që është bërë më herët gjatë ditës është një moment që e ndryshon luftën civile.

Pjesëtari i këtij koalicioni. George Sabra ka thënë: “Këtë radhë, sulmi ka qenë për asgjësim se sa për terror”.

Qeveria siriane dhe ushtria e kanë hedhur poshtë akuzën se kanë përdorur armë kimike të mërkurën kundër zona që kontrollohen nga rebelët në Damask.

Videot në internet që thuhet se shfaqin viktimat e këtyre sulmeve paraqesin trupa të vdekur në tokë pa shenja të dukshme të lëndimeve.

Grupet opozitare siriane kanë bërë thirrje që OKB të dërgojë inspektorë të armëve kimike që tashmë janë në Siri në vendin ku ata thonë se është bërë sulmi.

Franca dhe Turqia e kanë përkrahur këtë kërkesë.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian e ka dënuar atë që dyshohet se është përdorim i armëve kimike nga forcat e qeverisë siriane si “tërësisht të pa-pranueshme”, duke kërkuar hetim të menjëhershëm.

Mirëpo, Ministria e Jashtme ruse përmes një deklarate ka thënë se njoftimi mund të jetë “një provokim”.