Kosova vend turistik - por pa vizitorë

Ujëvarat e Mirushës

Me gjithë resurset turistike në Kosovë, ky sektor nuk është i zhvilluar dhe i shfrytëzuar sa duhet. Kosova ka mjaft resurse turistike që krijojnë mundësinë për zhvillimin e llojeve të ndryshme të turizmit, vlerësojnë ekspertë për çështje të turizmit dhe qytetarë.

Për nga aspekti i turizmit, Republika e Kosovës ndahet në 5 rajone turistike, dhe secili nga këto rajone ka veçoritë e veta dhe atraktivitetet. Rajoni qendror turistik i Prishtinës, ai i Alpeve Shqiptare, rajoni turistik i Sharrit, i Mitrovicës dhe ai i Anamoravës, konsiderohen si rajonet kryesore turistike në Kosovë.

Bujar Kuçi, njohës i kësaj çështjeje, thotë se Kosova ka potenciale të mjaftueshme turistike, ai madje thotë se ka qendra turistike, të cilat nuk janë të evidentuara nga autoritetet kompetente.

Autoritetet qendrore dhe lokale në Kosovë, thotë ai, nuk po i kushtojnë rëndësi sektorit të turizmit, pasi nuk e vënë në listën e prioriteteve.

"Potencialet ekzistojnë. Ajo çka duhet, është një investim i vogël nëpër këto pjesë dhe një promovim i këtyre pikave turistike që ne kemi. Ka disa iniciativa - mirëpo nuk është duke u bërë sa duhet", thotë Kuçi.

Por, me gjithë resurset e mjaftueshme turistike, interesimi i vizitorëve kosovarë nuk është në nivelin e duhur. Kuçi konsideron se kosovarëve u mungon kultura për të vizituar mjediset turistike vendore.

“Nuk kemi një kulturë të vizitës së vendeve turistike që i ka Kosova. Ne jemi dëshmitarë që ka shumë njerëz në Kosovë që kanë dëgjuar për një pikë turistike, po marrim, Ujëvarat e Mirushës. Mirëpo, një përqindje shumë e vogël e kosovarëve i kanë vizituar ato ujëvara".

"Në këtë rast qeveria komunale dhe ajo qendrore duhet të promovojë edhe për nevojat e konsumimit të brendshëm, sepse edhe ne dëshirojmë të dimë se çka ofrojnë ato pika, të cilat janë të mirat dhe mund t'i shohim në atë vend turistik”, shprehet Kuçi.

Drejtori i Kompanisë për Planifikim dhe Zhvillim të Turizmit, Zekë Çeku, shprehet se më gjithë hapësirat e mjaftueshme turistike, mungon vullneti dhe dëshira e kosovarëve për të vizituar vendet turistike.

Ai, ndërkaq, thotë është në rritje interesimi i turistëve ndërkombëtarë për të vizituar Kosovën.

“Na mungon sensi, dëshira dhe vullneti që t'i vizitojmë vendet kosovare. Ndoshta është edhe gjendja ekonomike, mungesa e mjeteve financiare. Mirëpo, na mungon perceptimi i drejtë i vlerave turistike dhe vlerave të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Gjithsesi, është dashur të ketë më shumë, ka aq bukuri, ka aq atraksione në Kosovë që kosovarët duhet t’i vizitojnë”, konsideron Çeku.

Edhe disa të rinj kosovarë pranojnë se nuk i vizitojnë shumë vendet turistike. Arben Berisha, thotë se të rinjtë, janë fokusuar më tepër në kryeqytet, sidomos në ambiente të mbyllura.

“Kosova ka shumë vendet turistike, po ne nuk jemi të interesuar që t'i vizitojmë ato. Të rinjtë më shumë rrinë në Prishtinë, nëpër kafiteri të ndryshme”, thotë Arbeni.

Përveç pesë rajoneve për turizmin malor, Kosova është e pasur dhe e njohur edhe me atraksione të tjera turistike, siç janë: Gryka e Rugovës, Burimi i Drinit të Bardhë, Ujëvara e Mirushës, një numër i konsiderueshëm shpellash, duke veçuar Shpellën e Gadimes, dhe bifurkacionin e Lumit të Nerodimes.