Neni 370



Neni 370
Përmbajtja dhe forma e aktgjykimit me shkrim


1. Aktgjykimi i përpiluar me shkrim duhet të jetë në përputhje me aktgjykimin e shpallur. Aktgjykimi përfshinë hyrjen, dispozitivin dhe arsyetimin.

2. Hyrja e aktgjykimit përfshin: shënimin se aktgjykimi merret në emër të popullit, emrin e gjykatës, emrin dhe mbiemrin e gjyqtarit të vetëm gjykues ose kryetarit dhe të anëtarëve të trupit gjykues dhe të procesmbajtësit, emrin dhe mbiemrin e të akuzuarit, veprën penale për të cilën i akuzuari është dënuar dhe nëse ka qenë i pranishëm në shqyrtimin gjyqësor, ditën e shqyrtimit gjyqësor, nëse shqyrtimi gjyqësor ka qenë i hapur, emrin dhe mbiemrin e prokurorit të shtetit, mbrojtësit,
përfaqësuesit ligjor dhe të përfaqësuesit të autorizuar të cilët kanë qenë të pranishëm në shqyrtim gjyqësor, datën e shpalljes së aktgjykimit të shqiptuar dhe datën e përpilimit të aktgjykimit.

3. Dispozitivi i aktgjykimit përfshin të dhënat personale të të akuzuarit dhe vendimin me të cilin i akuzuari shpallet fajtor për vepër penale për të cilën akuzohet, ose me të cilin lirohet nga akuza për atë vepër apo me të cilin refuzohet aktakuza.

4. Kur i akuzuari është dënuar, dispozitivi i aktgjykimit përfshin të gjitha të dhënat e nevojshme të parapara në nenin 365 të këtij Kodi, ndërsa kur ai është liruar nga akuza ose akuza është refuzuar, dispozitivi i aktgjykimit përfshin përshkrimin e veprës për të cilën është akuzuar dhe vendimin për shpenzimet e procedurës penale dhe kërkesën pasurore juridike, nëse një kërkesë e tillë është paraqitur.

5. Në rastin e gjykimit të veprave penale në bashkim, gjykata në dispozitivin e aktgjykimit shënon dënimet e shqiptuara për secilën vepër penale, e pastaj dënimin për të gjitha veprat në bashkim.

6. Gjykata në arsyetimin e aktgjykimit paraqet arsyet për çdo pikë të aktgjykimit.

7. Gjykata paraqet qartë dhe në mënyrë të plotë se cilat fakte dhe për çfarë arsyesh i konsideron të vërtetuara apo të pavërtetuara. Gjykata gjithashtu, në mënyrë të veçantë vlerëson saktësinë e provave kundërthënëse, arsyet e mosmiratimit të propozimit konkret të palëve, si dhe arsyet në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së çështjeve juridike, veçanërisht me rastin e vërtetimit të ekzistimit të veprës penale dhe përgjegjësisë penale të të akuzuarit, si dhe me rastin e zbatimit të
dispozitave të caktuara të ligjit penal ndaj të akuzuarit dhe veprës së tij.

8. Kur i akuzuari dënohet me burgim, arsyetimi përfshin rrethanat të cilat gjykata i ka marrë parasysh me rastin e caktimit të dënimit. Gjykata veçanërisht arsyeton se në cilat shkaqe është bazuar kur ka konstatuar se ka të bëjë veçanërisht me rast të rëndë dhe se duhet shqiptuar dënim më të rëndë se dënimi i paraparë, ose ka konstatuar se është e nevojshme të ulë apo të heqë dënimin, të shqiptojë dënim alternativ ose masën për trajtim të detyruar rehabilitimi ose të konfiskohet dobia pasurore e fituar me vepër penale.

9. Kur në aktakuzë përcaktohet pasuria që i nënshtrohet konfiskimit, aktgjykimi përcakton nëse pasuria konfiskohet apo jo. Aktgjykimi përmban arsyetimin për konfiskimin e secilës pasuri për të cilën urdhërohet konfiskimi dhe arsyetimin për secilën pasuri për të cilën nuk urdhërohet konfiskimi.

10. Kur i akuzuari lirohet nga akuza, në arsyetim veçanërisht shënohet arsyeja e paraparë në nenin 364 të këtij Kodi sipas së cilës ka vepruar.

11. Në arsyetimin e aktgjykimit me të cilin refuzohet akuza, gjykata nuk e vlerëson çështjen kryesore, por kufizohet vetëm në arsyet e refuzimit të akuzës.