Thirrje për mobilizim në përmbushjen e obligimeve për MSA-në

Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar mobilizim të gjithë kuadrit qeveritar për përmbushjen e obligimeve që e pret vendin para nisjes së negociatave formale me Bashkimin Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Në takimin e parë të ekipit negociator për këtë proces, kryeministri tha se Qeveria në Prishtinë është e përgatitur që të fillojë sa më parë negociatat me BE-në.

Ai kujtoi se dy prioritete kryesore ka qeveria në gjashtë muajt e ardhshëm, për sa kohë pret të marrë rezultate konkrete nga Brukseli -, ai për procesin e negocimit të MSA-së, ndërsa procesi i dytë, ai i përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave.

“Sidoqoftë, derisa të sigurojmë liberalizimin e vizave, ne duhet të mobilizohemi dhe të punojmë edhe më shumë, dhe veprimet tona duhet të intensifikohen në maksimum”, porositi ai.

Kryeministri Thaçi tha se një agjendë “ambicioze” është për këto dy procese, të cilat do të përfshijnë dialogun politik, aspektin tregtar, politikat e bashkëpunimit, pjesët që kanë të bëjnë me drejtësi, liri dhe siguri, si dhe një varg çështjesh tjera jashtëzakonisht të rëndësishme.

Kreu i qeverisë tha se posaçërisht angazhim edhe më të shtuar pret të shohë nga agjencitë për zbatimin e ligjit, si Policia e Kosovës, Këshilli Prokurorial, Këshilli Gjyqësor, Doganat, Administrata Tatimore, Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, Agjencia Kundër Korrupsionit, dhe mekanizma të tjerë.

"Kërkoj nga secili, që aktiviteti dhe obligimet që dalin nga procesi i liberalizimit të vizave dhe negocimit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, të trajtohen me prioritet më të lartë të mundshëm. Kjo nuk ka të bëjë me agjenda politike, të asnjë partie politike”, theksoi Thaçi.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për të afirmuar edhe më shumë imazhin e saj në arenën ndërkombëtare, andaj u kërkoi seriozitet në punë, dhe që secili të tregojë rezultate konkrete për punën, e cila i është ngarkuar.

Procesi i nisjes së negociatave formale për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit do të duhej të hapej, sipas qeverisë dhe ministres së Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, para dimrit.

“Presim që negociatat e MSA-së të fillojnë në vjeshtë të këtij viti, dhe synojmë që negociatat të përmbyllen deri në pranverë të vitit të ardhshëm”, tha ajo.

Ndërkaq ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, bëri të ditur që në kuadër të angazhimit në proceset euro-integruese, do të ketë më shumë punë.

“Ne kemi vendosur që ta rrismi numrin e diplomatëve tanë në ambasadën tonë në Bruksel”, tha Hoxhaj.

Ai tërhoqi paralele edhe me numrin e personelit që Zagrebi kishte në Bruksel, deri sa u pranua në familjen evropiane.

“Kroacia sivjet u bë anëtare e BE-së, ndërsa stafi që kishte në ambasadën e saj në Bruksel, kanë qenë rreth 80 vetë. Ne aktualisht i kemi vetëm 5 veta, por jemi të interesuar që në të ardhmen të dërgojmë edhe 10 veta, të cilët do të jenë në dispozicionin tonë si Qeveri e Kosovës, andaj do t’i kisha lutur ministrat, sipas nevojave që i kemi, dhe në koordinim të plotë me ministren Çitaku, gjatë ditëve të ardhshme të bëni propozime konkrete se kush do të mund t’ju përfaqësojë më së miri në Bruksel" , potencoi Hoxha.

Në këtë takim janë krijuar edhe tri grupe punuese. I pari për çështje tregtare, i dyti për përafrim të legjislacionit dhe i treti për politikat e bashkëpunimit.

Negociatori për çështje tregtare, Bernard Nikaj, tha se ekipi kosovar në këto procese do të hyjë i përgatitur meqë ka bërë tashmë një analizë mbi ndikimin e këtij procesi në ekonominë e vendit.

“Ky dokument përmban të gjeturat kyçe që të identifikohen produktet e ndjeshme për trajtim të veçantë, duke përfshirë periudha të tranzicionit, që nënkuptojnë uljen apo eliminimin e detyrimeve doganore për një periudhë të caktuar kohore”, tha ai.